Problemet në trashëgiminë kulture në vend rikthyen edhe debatet në Kuvend. Në Komisionin Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, u zhvillua një seancë dëgjimore me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore me informacion mbi ruajtjen, studimin, dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në vend. Por raporti vjetor i IKTK-së në parlament riktheu dhe debatet për ndërhyrjet në zona të mbrojtura në vendin tonë. Drejtuesit e IKTK-së kundërshtuan qëndrimet e përfaqësuesve të opozitës, të cilët thanë se i referohen vlerësimeve të UNESCO-s për situatën e krijuar veçanërisht në parkun e Butrintit. Çështja e rishikimit të kufijve të parkut të Butrintit dhe miratimi më pas i ndërtimit të një resorti turistik, u rihap në komisionin parlamentar nga kryetarja e tij dhe deputetja e PD-së, Ina Zhupa. Përfaqësuesi i IKTK-së arkeologu Maringlen Meshini, duke iu referuar zonës tha se nuk ka asnjë objekt arkeologjik.
“Zona ku është objekti resort nuk ka status pasuri kulturore. Jam unë që e kam zbuluar kullën rrethore. Mediat më pas manipuluan çdo lloj informacioni. Është rrënojë poste kufitare e vitit 1930. U mendua se ishte objekt arkeologjik, për shkak të objekteve të qeramikës. Në atë hapësirë nuk ka asnjë objekt arkeologjik. Kjo gjurmë ndërtimi nuk prek asnjë objekt arkeologjik apo objekt me status monument kulture. Struktura e re që po ndërtohet nuk ka dëmtuar asnjë lloj pasurie kulturore”, tha ai. Një projekt i Bashkisë së Peqinit me asfalt te Via Egnatia një nga rrugët më të mëdha e më të rëndësishme të botës antike ka qenë më parë objekt kritikash. Drejtoresha e IKTK-Joli Mitrojorgji tha se nga gjithë verifikimet, bëhet fjalë për trasenë ku ka kaluar Via Egnatia dhe jo kalldrëmi origjinal.
“Bashkia ka dashur të shtojë pikë turistike në zonë. Ajo trase që ka qenë pjesë e këtij projekti, ka qenë një rrugë e kalueshme nga makinat”, vijoi ajo. Ndër të tjera duke iu përgjigjur pyetjeve, drejtoresha e përgjithshme e IKTK-së Joli Mitrojorgji sa i përket projekteve kërkimore shkencore tha se IKTK i administron të gjitha aplikimet që i vijnë, si dhe i monitoron në terren. Sipas saj në vitin 2024 ishin 22 projekte të tilla të realizuara. Ndërsa në vitin 2025, për periudhën janar-shtator, janë 20 projekte. Në lidhje me investimet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për vitin 2024-2025, ku shumica janë në proces, Mitrojorgji vijoi se rezultojnë rreth 40 pasuri kulturore të shpërndara në të gjithë territorin.
Trashëgimia kulturore në Komisionin për Kulturën, ndërhyrjet në zonat arkeologjike rikthejnë debatet
