Zgjedhjet në Kosovë/ Analisti: Vetëvendosja me rezultat të dobët, mungesa e bashkëpunimit po dëmton Kurtin në Prishtinë

21 nga 38 komunat e Kosovës zgjodhën kryetarin e ri pas raundit të parë të votimeve të dielën. 17 të tjera do të shkojnë në balotazh, mes tyre edhe kryeqyteti i vendit, Prishtina, ku pritet të përballen Përparim Rama nga LDK, i cili ka fituar 33.8% të votave, dhe Hajrulla Çeku nga Vetëvendosje me 33%.
Partia Demokratike e Kosovës fitoi 3 komuna në raundin e parë dhe kryeson në 4 të tjera që do të shkojnë në balotazh. Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 2 komuna dhe kryeson në 6 të tjera që po ashtu do të jenë në balotazh.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt ka fituar vetëm në Deçan dhe do të vijojë betejën për 5 të tjera.
Lista Serbe, e cila u rikthye pas vitesh bojkoti, fitoi 9 nga 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Analisti Blerim Burjani, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, tha se partia Vetëvendosje ka dalë me rezultate shumë të dobëta.
Sipas analistit Blerim Burjani, partia në pushtet po përsërit rezultatet e dobëta të katër viteve më parë dhe pritet të fitojë jo më shumë se katër deri në pesë komuna pas balotazhit.
Në Prishtinë, Vetëvendosja përballet me rënie të mbështetjes dhe mungesë vullneti për bashkëpunim me opozitën. Burjani thekson se qëndrimi i Kurtit dhe partisë së tij po e izolon Vetëvendosjen politikisht, ndërsa paralajmëron se pas afateve kushtetuese mund të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme.

INTERVISTA E PLOTË:
Çfarë tregoi në përgjithësi turi i parë i zgjedhjeve dhe më tej si është gjendja në Prishtinë?
Burjani: Po shihet e qartë që Vetëvendosja do të mbetet subjekt me vështirësi të mëdha sa i përket zgjedhjeve në pushtetin lokal. Edhe para katër viteve kishte të njëjtat probleme, nuk ka reflektuar më shumë në pozitivitet dhe në fitore as para katër vjetëve. Pra, po përsëritet një rezultat i dobët i Vetëvendosjes në qeverisjen lokale. Vetëvendosja do ta ketë shumë vështirë të fitojë më shumë se katër komuna pas balotazhit. Ata po shpresojnë që në shumicën janë gati në disa komuna në balotazh dhe shpresojnë që do të kenë gjasa më të mëdha. Mirëpo, problemi kryesor te Vetëvendosja është se ata nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë fare me opozitën. Po sikur të kish pasur një bashkëpunim me opozitën, për shembull me LDK-në apo me PDK-në në Prishtinë, do ta kishte pasur më lehtë z. Çeku të jetë kryetar i Komunës së Prishtinës. Por ata kanë bërë me dije se nuk janë të interesuar fare për asnjë koalicion me askënd për balotazh, dhe kështu që problemi kryesor mbetet te ata. Nuk kanë vullnet të bashkëpunojnë me asnjë subjekt politik tjetër dhe kryesisht përqendrohen në fuqinë e tyre elektorale. Pak ka shpresa Vetëvendosja që mund të fitojë më shumë komuna. Unë mendoj që katër komuna, deri në pesë maksimumi, është ajo që mund të fitojnë ata. Pjesën tjetër do ta marrë plotësisht opozita, madje edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. AAK-ja gjasat i ka më shumë në pushtetin lokal për të fituar komuna sesa në nivelin nacional.
Kryeqyteti do të shkojë edhe ai në balotazh, në turin e dytë. Në turin e parë gjithsesi prin Lidhja Demokratike e Kosovës me Përparim Ramën. Çfarë tregon Prishtina? Çfarë është pozita e Vetëvendosjes dhe e kryeministrit Kurti në Prishtinë, krahasuar me katër vite më parë?
Burjani: Qëndrimi i Vetëvendosjes është i njëjtë. Është i çuditshëm ky qëndrim. Pra, është një qëndrim pa vullnet politik për të bashkëpunuar në nivelin lokal, madje as në Komunën e Prishtinës me Partinë Demokratike apo me Aleancën, gjë që do t’i kishte rritur gjasat jashtëzakonisht shumë për të fituar në balotazh për Lëvizjen Vetëvendosje. Po këta nuk po japin kurrfarë interesimi fare. Madje, s’kanë vullnet për të biseduar me Partinë Demokratike në Prishtinë dhe janë deklaruar shumë të qartë. Ky mosdeklarim për bashkëpunim i prish punë jashtëzakonisht shumë Vetëvendosjes. Vetëvendosja është një parti kryeneçe. Ata kështu funksionojnë, ose krejt ose hiç. Pra, “ose krejt ose hiç” nuk ka me këtë sistem proporcional. Kur je i dobët edhe në zgjedhje, edhe në atë çfarë ke mundur të fitosh si rezultat zgjedhor, nuk mundesh ta kesh kokën lart e të thuash “nuk bashkëpunoj me askënd,” sepse do të mbetesh në opozitë.
Një parti kryeneçe që ka ende në dispozicion 15 ditë kohë për të formuar qeverinë, sigurisht nën drejtimin e Kurtit. Më pas, shanset janë më të larta që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, definitivisht, apo ka ende mundësi për ta ruajtur establishmentin aktual?
Burjani: Mbas afatit 15-ditor kushtetues, është edhe afati tjetër 10-ditor. Por duhet të ndërrohet kandidati. Nëse dështon kandidati i parë në 15 ditët e para, nuk ke të drejtë të kandidosh në fazën e dytë që është 10-ditore. Pra, duhet të gjesh një kandidat tjetër për të propozuar, për të mundësuar që procedura të ecë përpara në Parlament. Nëse edhe atëherë dështon, atëherë do të shohim se si do të rrjedhë pozicioni. Kurti po mbetet në qëndrimet, ose ai Kryeministër ose zgjedhje. Edhe kjo është e çuditshme, kjo nuk funksionon në demokracitë normale shtetërore. Në demokracitë normale gjithkush bashkëpunon. Ky do që të jetë veç vetë sepse i ka quajtur me emra të ndryshëm opozitën. I ka quajtur mashtrues, i ka quajtur hajna të korruptuar, dhe nuk ka lënë derë të hapur për të biseduar dhe për të bashkëpunuar me ta. Ai nuk është fare i interesuar madje hiç të bisedojë me ta, dhe kjo po i prish punët z. Kurti. Ai vetë po ia prish punën këtu.
/vizionplus.tv