Rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve lokale në Kosovë tregojnë se në 38 nga 21 komuna fituesit janë përcaktuar që në raundin e parë.
17 të tjera shkojnë në balotazh, mes tyre edhe kryeqyteti i vendit, Prishtina, ku pritet të përballen Përparim Rama nga LDK, i cili ka fituar 33.8% të votave, dhe Hajrulla Çeku nga Vetëvendosje, që ka siguruar 33% të votave.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 3 komuna në raundin e parë: Skënderajn, Ferizajn dhe Hanin e Elezit, ndërsa kryeson në 4 të tjera që shkojnë në balotazh: Prizren, Kaçanik, Vushtrri dhe Mitrovicë e Jugut. Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 2 komuna: Istogun dhe Lipjanin, por kryeson në 6 të tjera që shkojnë në balotazh: Prishtinë, Pejë, Junik, Dragash, Viti dhe Obiliq.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, partia në pushtet, ka pësuar një humbje të thellë në këto zgjedhje, duke fituar vetëm 3 komuna në raundin e parë: Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.
Ndryshe nga viti 2021, këtë herë Vetëvendosje nuk arriti të fitojë asnjë komunë të madhe direkt dhe shkon në balotazh në 12 komuna, por në të gjitha, përveç Gjilanit dhe Fushë Kosovës, renditet forca e dytë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt ka fituar vetëm në Deçan, por shkon si kryesuese në 4 nga 5 komuna ku është në balotazh: Gjakovë, Rahovec, Klinë, Suharekë e Junik.
Lista Serbe ka fituar 9 komuna me shumicë serbe në raundin e parë: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok, Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh. Po ashtu, kryeson në balotazh në Kllokot, e vetmja komunë me shumicë serbe që nuk u fitua direkt./vizionplus.tv
