Dje, qytetarët e Kosovës votuan për të zgjedhur krerët e komunave në 38 qytete të vendit. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në 19:00. Menjëherë pas mbylljes së votimit, dolën edhe rezultatet e para të exit-polleve, të realizuara nga disa institucione të ndryshme. Sipas një matjeje të realizuar nga Klan Kosova në bashkëpunim me institutin PIPOS, gara për Prishtinën përfundoi pa një fitues të qartë në raundin e parë. Sipas të dhënave, kryeqyteti shkon në balotazh mes Përparim Ramës dhe Hajrulla Çekut. Duhet theksuar se, sipas sistemit zgjedhor në Kosovë, një kandidat duhet të fitojë mbi 50% të votave për t’u shpallur fitues në raundin e parë.
Në të kundërt, zhvillohet një raund i dytë mes dy kandidatëve më të votuar. Në Gjakovë, kandidati i AAK-së, Ardian Gjini, u projektua si fitues që në raundin e parë, duke lënë pas Ardian Golën e LVV-së. Gjilani po ashtu nuk pati fitues përfundimtar në raundin e parë. Exit-polli i Klan Kosova parashikoi një balotazh mes Alban Hysenit të LVV-së dhe Arbër Ismajlit të LDK-së. Në Mitrovicë, sipas të njëjtit exit-poll, Arian Tahiri i PDK-së u projektua si fitues. Edhe Ferizaj pati një rezultat të qartë. Agim Aliu, kandidati i PDK-së, sipas matjeve të Klan Kosova dhe PIPOS, fitoi që në raundin e parë. Për Prizrenin, rezultati tregoi një garë të fortë.
Shaqir Totaj i PDK-së doli i pari me 46.14% të votave, por nuk arriti shumicën absolute, duke lënë hapësirë për një raund të dytë. Përveç Klan Kosovës, rezultatet e exit-polleve u publikuan edhe nga RTV Dukagjini në bashkëpunim me UBO Consulting, si dhe nga “Albanian Post” me Institutin “Source”. Të dhënat e tyre rezultuan të përafërta, duke konfirmuar tendencat e raportuara në shumicën e komunave.
Zgjedhjet lokale në Kosovë, Prishtina dhe Gjilani në balotazh, ja rezultatet e exit-polleve
