Mbyllen zgjedhjet në Kosovë, qytetarët votuan për drejtuesit e rinj të komunave. Nuk pati incidente

Ka përfunduar në Kosovë procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të komunave dhe përfaqësuese të kuvendeve komunale.
Procesi nisi që prej orës 07:00 të mëngjesit dhe vijoi normalisht pa incidente apo problematika të mëdha në të gjithë vendin deri në orën 19:00 kur dyert e qendrave të votimit u mbyllën.
Një orë përpara përfundimit, pjesmarrja në këto zgjedhje ishte rreth 33 përqind në rang vendi, me përqindjen më të lartë të votimit në Komunën e banuar më shumicë serbe Zubin Potok me 58% dhe më të ulët në komunën tjetër me shumicë serbe Leposavic me 24 %.

Të drejtë vote në të gjithë vendin kanë pasur 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda vendit, dhe rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Gjatë gjithë ditës Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme. Të drejtën e votës e kanë ushtruar që në orët e para krerët e shtetit përfshirë presidenten Vjosa Osmani kryeministrin në detyrë Kurti, dhe kryetarët e partive.
Rezultatet do të bëhen te ditura pak orë më pas teksa gara më e fortë zhvillohet mes kandidatëve të partive kryesore shqiptare.
Sa iu takon katër komunave të veriut me shumicë serbe, pritet që në krye të tyre të rikthehen kandidatët e Listës Serbska të cilët u kthyen në zgjedhje pas disa vitesh bojkot./vizionplus.tv