Burimi:
Vizionplus.tv

Foto © Vizionplus.tv
Kurti emëron Vukmiroviçin si ministër për Komunitetet dhe Kthim
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar të shtunën Nenad Vukmiroviçin si ministër për Komunitetet dhe Kthim. Emërimi i tij vjen pasi ministri i deritanishëm në detyrë, Nenad Rashiç u zgjodh të premten nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Vukmiroviç ka qenë zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, informon Radio Evropa e Lirë. I lindur në Mitrovicën e Veriut, Vukmiroviç më parë ka qenë edhe drejtor i Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Emërimi i tij vjen pak orë pasi Kurti u mandatua nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për të provuar ta formojë Qeverinë e re. Sipas Kushtetutës së vendit, Kurti tani i ka 15 ditë kohë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.