Capello: Fitova dy tituj në fushë me Juven, që më pas m’i hoqën padrejtësisht

11 Tetor 2025

8:29

Alfred Lleshi

Fabio Capello, në një intervistë për “Sky Sport”, foli rreth periudhës së tij si trajner, veçanërisht vitet e mbushura me emocione te Juventusi: “Kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Trezeguet. Ishte një grup i fortë lojtarësh, me mentalitet elitar. Në Italinë, kampione bote më 2006, luanin 7-8 lojtarë bardhezinj. Fitova dy tituj në fushë, që më pas m’u hoqën padrejtësisht”.
Sa i përket karrierës së tij, Capello kujtoi lojtarët që e kanë impresionuar më shumë: “Dy që më lanë pa fjalë për mënyrën si gjuanin ishin Gigi Riva dhe Batistuta. Ndërsa lojtari që më ka zemëruar më shumë ka qenë Cassano; talent i jashtëzakonshëm, por i pamundur për t’u menaxhuar. Për 5 minuta bënte çfarë i thoje, pastaj ndalonte”.
Duke kujtuar eksperiencën te Real Madridi, shtoi: “E largova Ronaldon, që peshonte 94 kg dhe s’donte të dobësohej, por mbetet lojtari më i madh që kam trajnuar. Në dhomën e zhveshjes, liderët janë vendimtarë; jo gjithmonë më të rëndësishmit, por ata me karizmë. Liderët negativë janë më të rrezikshmit”.