De Biasi: Shqipëria duhet të tregojë ndaj Serbisë se është skuadër e vërtetë 

Ish-trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi, foli në Klan News, me gazetarin Besard Jacaj, në prag të ndeshjes që Shqipëria do të luajë ndaj Serbisë. 
Italiani e cilësoi si ndeshje të vështirë, por theksoi se Shqipëria duhet të luajë sfidë inteligjente, pa presion. 
Sipas De Biasit, Shqipëria duhet të tregojë ndaj Serbisë se është një skuadër e vërtetë.   
“Vendi i dytë do të diskutohet mes Shqipërisë dhe mes Serbisë. Anglia duket e shkëputur. Të dyja skuadrat duan pikë edhe në një ndeshje kaq të vështirë. Shqipëria duhet të luajë një ndeshje inteligjente dhe pa u përfshirë në presion.   
Shqipëria ka një kombëtare me teknikë, por duhet të jetë më e vendosur dhe më këmbëngulëse. Të luftojë për çdo top dhe të mos ketë frikë nga asnjë skuadër. Duhet të kemi respekt për kundërshtarin, sepse ka kualitet. 
Kjo kombëtare ka lojtarë me kualitet. Skuadra kuqezi është shumë e vendosur dhe e bashkuar. Vetëm në këtë mënyrë ia dolëm. Në këtë moment duhet të tregojë se është një skuadër e vërtetë, më shumë se ajo e para”, deklaroi De Biasi.