Turqia “blindoi” Kosovën, reagon ashpër Serbia, ja pse marrëdhëniet midis dy shteteve po vihen në provë

Mbërritja në Prishtinë e një sistemi të ri të dronëve ka bërë jehonë përtej kufijve të Kosovës, ajo ka shkaktuar tronditje politike në diplomacinë rajonale që Turqia ka kultivuar viteve të fundit, ka shkruar “TurkeyToday” në një artikull të titulluar “Dronët e Turqisë në Kosovë testojnë ‘epokën e artë’ të marrëdhënieve Ankara–Beograd”. Një kontingjent i madh i dronëve “Skydagger” mbërriti të mërkurën në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë. Në mesin e kontejnerëve gjenden mijëra dronë kamikazë të tipit “Ready-to-Fly” të destinuar për shkatërrimin e objektivave statike dhe lëvizëse, duke i mundësuar Forcës së Sigurisë së Kosovës rritjen e aftësive goditëse.
Ky lajm shkaktoi reagim të ashpër nga Serbia, duke e vënë Turqinë në një pozitë shumë delikate për ta ruajtur ekuilibrin diplomatik, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, akuzoi Turqinë për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Madje, ai vlerësoi se Turqia ëndërron ringjalljen e Perandorisë Osmane. “Tash është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe është duke ëndërruar sërish për ringjallje të Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë synimet e tyre reale”, pretendoi Vuçiçi. Akuza ndaj Turqisë për “neo-otomanizëm” është një armë e zakonshme retorike në rajon sa herë që interesat kombëtare përplasen me angazhimin në rritje të Turqisë. Në realitet, analistët theksojnë se politika e jashtme e Ankarasë mbetet pragmatike dhe e fokusuar në stabilitetin ekonomik e rajonal, një politikë që, pavarësisht tensioneve aktuale, ka prodhuar “epokë të artë” të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë.