Pas pauzës disa javore, Kuvendi mblidhet sot për seancën konstituive! Pritet të zgjidhet nënkryetari

Deputetët e Kuvendit do të mblidhen këtë të premte, në orën 10:00, për të vazhduar me seancën konstituive pas një muaji e gjysmë pauzë,  për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Një pikë e vetme është në rend dite, zgjedhja e nënkryetarit serb, pikë e cila çoi Kushtetuesen në bllokimin e punës së Kuvendit.
Tentativa e radhës për konstituim të Kuvendit vjen pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, në kërkesën e Listës Serbe që kontestoi konstituimin pa zgjedhjen e nënkryetarit të propozuar nga kjo parti.
Të mërkurën, në aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe për konstituimin e Kuvendit, Kushtetuesja nuk ua ka lënë në dorë grupeve parlamentare apo komuniteteve që, duke mos propozuar kandidat për nënkryetar, ta mbajnë të bllokuar punën e organit legjislativ.
Të enjten janë bërë tetë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme. Me zgjedhjen e nënkryetarit serb përmbyllet seanca konstituive e nisur më 15 prill, dhe i hapet rruga procesit për formimin e qeverisë së re.