9 Tetor 2025
11:44
Alfred Lleshi
Mason Greenwood, 24 vjeç, po kalon një fillim sezoni shumë të mirë me fanellën e Olympique Marseille, duke shënuar 3 gola dhe dhënë 4 asiste në 9 ndeshje, nën drejtimin e De Zerbi. Pas periudhave të vështira, ish-talenti i Manchester United është rikthyer fuqishëm. Ai ka dhënë një intervistë për mediat zyrtare të klubit, ku ka folur për inspirimet e tij në futboll dhe lojtarët që admiron më shumë.
Përgjigjja që ka shkaktuar më shumë debat ishte kur u pyet se cili është, sipas tij, lojtari më i mirë në botë. Greenwood nuk zgjodhi Ousmane Dembélé, fituesin e fundit të “Topit të Artë”, por Lamine Yamal, fenomenin 18-vjeçar të Barcelonës. “Për mua, lojtari më i mirë në botë në këtë moment është Lamine Yamal”, – tha sulmuesi anglez, duke vlerësuar pjekurinë dhe talentin e hershëm të të riut spanjoll.
Këto fjalë tregojnë se Yamal po frymëzon admirim edhe te kolegët e tij. Ndërkohë, Greenwood vazhdon të shkëlqejë në Marseille, i vendosur të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij larg Anglisë.
