Szczesny zbulon prapaskenën e puros që piu, pasi fitoi La Liga-n: Ma dha vetë presidenti Laporta…

Portieri polak, që përjetoi një kapitull të paharrueshëm me Barcelonën, ka rrëfyer historinë e famëkeqes puro të ndezur në dhomat e zhveshjes pas fitores së titullit në La Liga: “Ajo puro në dhomat e zhveshjes përshkruan në mënyrë të përkryer gjithë historinë time. U largova nga Arsenali për shkak të duhanit, më shoqëroi për shumë vite dhe, në fund, presidenti Joan Laporta më dhuroi një puro të shkëlqyer. E ndeza në dhomat e zhveshjes, ndërsa shikoja me kënaqësi shokët e skuadrës që festonin fitoren e kampionatit. Për mua, ishte një moment i jashtëzakonshëm kënaqësie dhe simbol i gjithë karrierës sime”.
Pas njoftimit të tërheqjes nga futbolli, Szczęsny ishte përgatitur për një kapitull të ri, plotësisht i përkushtuar ndaj familjes, por oferta e papritur e Barcelonës ia ndryshoi mendjen. Babai i dy fëmijëve, Liam dhe Noelia, e përshkroi rolin e prindit si më të rëndësishmin në jetën e tij: “Të jesh baba është sfida më e vështirë, por edhe më e bukura që kam përjetuar ndonjëherë. Nuk e di sa mirë po ia dal, duhet t’ia lini gruas dhe fëmijëve të gjykojnë, por është ‘ndeshja’ që më jep më shumë kënaqësi”.
Megjithëse ishte i vendosur të qëndronte larg fushës, rikthimin e tij e nxiti bashkëshortja, Marina: “Nuk doja të luaja më, isha gati të bëhesha baba me kohë të plotë, por Marina këmbënguli shumë. Në fund arriti të më bindë, duhet të them se i jam shumë mirënjohës”.