Zlatan Ibrahimovic ka vlerësuar Pep Guardiola, Jose Mourinho, Carlo Ancelotti dhe Fabio Capello si trajnerët që “ndryshuan futbollin”, ndërsa pranoi se gjithmonë ka dashur të luajë nën drejtimin e Jurgen Klopp dhe Sir Alex Ferguson.
Këshilltari special i Milan-it gjithashtu beson se Ancelotti muna ta udhëheqë Brazilin drejt lavdisë së Kupës së Botës 2026, duke thënë se “çdo gjë që ai prek shndërrohet në ar”.
Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës Europiane të Klubeve në Romë, Ibrahimovic reflektoi mbi karrierën e tij të shkëlqyer dhe trajnerët që përcaktuan suksesin e tij.
44-vjeçari punoi me disa nga mendjet më të mëdha të futbollit gjatë periudhave te Barcelona, Inter, Milan, Paris Saint-Germain dhe Manchester United, duke përfshirë emra si Massimiliano Allegri, Roberto Mancini, Ronald Koeman dhe Laurent Blanc, por ai identifikoi katër emra të tjerë që qëndrojnë mbi të tjerët.
Ibrahimovic pati një marrëdhënie të diskutueshme me Guardiola-n gjatë periudhës së tij të shkurtër në Barcelonë. Ai shënoi 22 gola në 46 paraqitje për klubin spanjoll para largimit të tij të bujshëm për shkak të problemeve të tij me trajnerin aktual të Manchester City. Megjithatë, ai e renditi katalanasin ndër më të mirët në karrierën e tij.
“Kisha Capello-n, Mourinho-n, Guardiola-n, Ancelotti-n: këta të katër janë futbolli dhe ata e ndryshuan atë”, tha Ibrahimovic. “Do të doja të më kishin trajnuar Klopp dhe Ferguson”, shtoi ai, ndërsa kujtoi përvojat e tij duke punuar me trajnerë të klasit botëror në të gjithë Europën.
Ish-sulmuesi suedez rezervoi lëvdata të veçanta për Ancelotti-n, ish-trajnerin e tij te PSG, duke e vlerësuar atë si udhëheqësin e Brazilit drejt suksesit në Kupën e Botës 2026.
“Shpresoj që Brazili të fitojë për mikun tim Ancelotti-n. Unë mbështes ata. Çdo gjë që ai prek shndërrohet në ar, le të shohim nëse mund të bëjë të njëjtën gjë me Brazilin”, tha Zlatan.
Ibrahimovic beson se lidershipi i qetë dhe fleksibiliteti taktik i Ancelottit mund t’i japin fund pritjes 24-vjeçare të Seleçaos për një trofe të Kupës së Botës, duke e bërë atë trajnerin e parë europian që e ngre atë me Brazilin.
Ibrahimovic: “Këta trajnerë kanë ndryshuar përgjithmonë futbollin”
