FIFA vlerëson punën e Armand Dukës, i jep një rol të ri

8 Tetor 2025

13:01

Telesport

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është zgjedhur anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s (Member Associations Committee) për një mandat katërvjeçar. Ky komitet ka për qëllim të mbështesë federatat anëtare në zhvillimin e tyre institucional dhe teknik, si dhe në zbatimin e politikave të qeverisjes së futbollit.
Zgjedhja e Presidentit Duka në këtë strukturë përbën një vlerësim të rëndësishëm për futbollin shqiptar dhe për kontributin e tij shumëvjeçar në arenën ndërkombëtare, ku ai prej vitesh është gjithashtu Zv.President i UEFA-s, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA dhe Kryetar i Komitetit të Medias në UEFA.

Vetë Duka tha pas kësaj detyre të re: “Jam i nderuar dhe thellësisht mirënjohës për besimin që më është dhënë, duke u zgjedhur anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s për katër vitet e ardhshme. Ky nuk është vetëm një vlerësim personal, por mbi të gjitha arritje e rëndësishme për futbollin shqiptar dhe rrugëtimin tonë të përbashkët”.