E BUJSHME! Napoli ishte pranë Neymarit në verë, pastaj doli mundësia De Bruyne dhe…

8 Tetor 2025

10:12

Alfred Lleshi

Napoli po “fluturon” me krahët e “katërshes së mrekullive” Lobotka, Anguissa, McTominay dhe De Bruyne. Por, çfarë do të ndodhte nëse ky “katërkëndësh magjik” do të ishte zgjeruar në një “pesëshe të mrekullueshme”? Sipas “Gazzetta dello Sport”, kjo mund të kishte ndodhur. Verën e kaluar, klubi napolitan mendoi seriozisht ta sillte Neymar për të luajtur në “Diego Armando Maradona”.
Ylli brazilian, megjithëse në fazën e rënies së karrierës (pas përvojave me PSG dhe Barcelonën, dështimit për shkak të dëmtimeve tek Al Hilal dhe rikthimit te Santos), mbetet një emër që ngjall ëndrra te tifozët, sidomos për ata që kanë jetuar magjinë e dribblimeve të vetë Maradonës.
Presidenti De Laurentiis dhe drejtori sportiv Manna ia paraqitën idenë Contes, i cili analizoi mundësinë e përfshirjes së Neymar, 33 vjeç, në sistemin e tij taktik. Në fund, megjithatë, arsyeja triumfoi: në horizont kishte dalë opsioni Kevin De Bruyne, shumë më i përshtatshëm fizikisht dhe teknikisht. Në atë moment zgjedhja u bë natyrshëm në favor të belgut.