Bota e sportit mbajti frymën për 24 orë, duke pritur të dëgjonte se çfarë njoftimi do t’i bënte LeBron James të gjithë botës. Kjo për shkak të mënyrës se si James e publikoi ngjarjen, siç e quajti ai, “Vendimi i të gjitha vendimeve”.
Po në këtë mënyrë ai i bëri jehonë njoftimit të tij të vitit 2010, kur kaloi nga Cleveland Cavaliers te Miami Heat. Ndërsa këtë herë të gjitha shenjat tregonin tërheqjen e tij nga basketbolli.
Por, në minutën e fundit, 4 herë kampioni i NBA-së i habiti të gjithë: njoftimi kishte të bënte vetëm me një partneritet me një kompani konjaku. E gjithë bota e sportit mbeti e zhgënjyer nga pritja e gjatë.
“LeBron, të gjithë duan të dinë se ku do të shkojnë talentet e tua këtë vit“, i bëri intervistuesi LeBron James të njëjtën pyetje si vendimi i vitit 2010. “Ishte e vështirë“, u përgjigj LeBron, ylli i Lakers.
“Kam vendosur që këtë vjeshtë t’i çoj talentet e mia te Hennessy V.S.O.P.” LeBron e ripostoi videon e Hennessy (marka e alkoolit të sponsorizuar) nëpërmjet llogarisë së tij në X, duke e shoqëruar atë me dy ikona: një shkelje syri dhe një gjuhë të nxjerrë jashtë.
Mesazhi ishte i qartë: Ia dola! Mbreti, ende në një gjendje të jashtëzakonshme fizike, nuk ka ndërmend të abdikojë dhe të largohet nga basketbolli.
LeBron James i mashtron të gjithë me vendimin, ylli i Lakers “zhytet” në alkool
