Adriatik BALLA
Kombëtarja po punon për ndeshjen e 11 tetorit kundër Serbisë, por në skuadër vijojnë të vijnë lojtarët që janë ftuar por që nuk kanë pasur kohë në dispozicion për të qenë në orarin e duhur në procesin stërvitor. Një situatë që ka sjellë edhe acarimin e trajnerit Silvinjo. Udhëtimi rraskapitës nga Amerika e largët, ka bërë që Enea Mihaj të ishte emri i fundit që i bashkohej Kombëtares shqiptare për përgatitjen e ndeshjeve ndaj Serbisë dhe Jordanisë. Qendërmbrojtësi është bërë pjesë e Atlanta Junajtid në MLS dhe ky ishte udhëtimi parë ndërkontinental që kur iu bashkua klubit amerikan, meqë nuk u ftua për ndeshjet e shtatorit.
Mihaj këtë radhë nuk mungoi në listën e Silvinjos, por ishte një mungesë në stërvitjen e së hënës, teksa mund të ndodhte e njëjta gjë për të martën. Udhëtimi i gjatë ka bërë që ai të mbërrinte vetëm sot në drekë në Shqipëri dhe pas një ndalese të shkurtër në hotel, ka shkuar menjëherë te “Shtëpia e Futbollit” për t’iu bashkuar pjesës tjetër të skuadrës për stërvitjen. Ai mbërriti sapo ekipi kishte filluar ushtrimet nën urdhrat e trajnerit Silvinjo, duke qenë në gjendje që të merrte pjesë në seancën e sotme. Mihaj shihet si një alternativë e rëndësishme për prapavijën nga trajneri Silvinjo, sidomos në këtë moment kur mungojnë në grumbullim dy emra si Ismajli e Kumbulla.
Sulmuesi serb analizon pragduelin me Shqipërinë: Një derbi rajonal të motivon
Serbia ka mbushur radhët e saj me emra të njohur në repartin e avancuar për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Por në radhët e saj për këtë sfidë është edhe një sulmues i ri, Andrej Iliç, i cili po bën emër në Gjermani me fanellën e Union Berlin. Ish-sulmuesi i përfaqësueses U21 të Serbisë, ka theksuar në një intervistë për faqen e internetit të Federatës Serbe, se e sheh ndeshjen me Shqipërinë si një derbi rajonal. “Kjo është një mundësi e rëndësishme. Ndeshja e parë në Tiranë ishte e vështirë dhe kjo mund të jetë e tillë gjithashtu. Në një aspekt, derbit rajonal janë ndeshje të mbushura me energji, ku duhet të hysh në fushë me vendosmëri, por edhe me besimin për të fituar. Në luajmë në fushën tonë, para tifozëve tanë dhe në lojë janë shumë gjëra. Unë jam krenar që jam pjesë e ekipit tonë përfaqësues, që kam mundësinë të mësoj nga Mitroviç, Vlahoviç, Joviç dhe të gjitha këta emra të mëdhenj”, tha futbollist i cili po spikat me fanellën e Union Berlinit.
Emerllahu në formacionin më të mirë në kampionatin rumun
Pas paraqitjes ndaj Hermanstadtit, Lindon Emërllahu është përfshirë në formacionin më të mirë javës së 12-të të Superligës së Rumanisë në futboll. Formacioni më i mirë i javës është përzgjedhur të martën nga faqja zyrtare e Superligës. Emërllahu shënoi gol në fitoren 2:1 të Kluzhit të dielën e kaluar ndaj Hermanstadtit. Ai e realizoi golin e fitores. 22-vjeçari Emërllahu këtë edicion në tetë ndeshjet e zhvilluara në kampionat ka shënuar tre gola dhe ka bërë një asistim. Te Kluzhi luan edhe futbollisti tjetër i Kosovës, Meriton Korenica. Emërllahu dhe Korenica janë ftuar nga selektori i Kosovës, Franko Foda, për dy ndeshjet e këtij muaji. “Dardanët” të premten nga ora 20:45 e presin Slloveninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kurse tri ditë më pas udhëtojnë për në Suedi. Ndeshjet janë të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës, që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Enea Mihaj vjen me vonesë nga Amerika, një serb komenton Shqipërinë
