Toni Kroos paralajmëron Flick dhe Barcelonën: Nëse je i lodhur dhe nuk ndryshon stil loje…

7 Tetor 2025

11:04

Alfred Lleshi

Toni Kroos, ish-mesfushori i Real Madridit, i cili u tërhoq nga futbolli verën 2024, komentoi situatën e Barcelonës në podcastin “Einfach mal Luppen”. Gjermani theksoi se “Barça ka një nga stilet më tërheqëse të lojës në Europë, por rrezikon shumë”: “Në një ditë të keqe të Pedri, Lamine Yamal ose Raphinha, çdo skuadër mund t’i bëjë dëm dhe ta eliminojë nga Champions-i”.
Ish-mesfushori kujtoi edhe humbjen ndaj Interit në gjysmëfinale, sezonin e kaluar, dhe paralajmëroi se këtë vit Barcelona mund të hasë përsëri në rivalë të fortë në çdo fazë të Champions-it: “Në La Liga nuk mendoj se do t’i ndodhë befasia, sepse është shumë dominuese”.
Një problem kryesor, sipas Kroos, është lodhja në minutat e fundit: “Nga minuta e 75-të ndjehet se të gjithë janë më të lodhur, por nuk e ndryshojnë stilin e lojës për t’i mbyllur hapësirat. Nëse je i lodhur dhe nuk ndryshon stilin e lojës, bëhet shumë evidente sa i ekspozuar je ndaj rrezikut”. Kroos e përmbyll analizën e tij duke nënvizuar rëndësinë e adaptimit gjatë ndeshjeve për të shmangur dështimet në nivele të larta.