Interi dhe Napoli, avangardë për titullin. Milani, Juve dhe Roma kanë ende dilema në sulm

7 Tetor 2025

8:43

Alfred Lleshi

Në Serie A mbizotëron ekuilibri, pesë skuadra ndahen brenda 3 pikëve: Roma dhe Napoli (15), Milani (13), Interi dhe Juventusi (12). Diferencën mund ta bëjë sulmi. Napoli po fluturon me Højlund në top-formë. Danezi ka shënuar dopietë në Champions dhe gol vendimtar ndaj Genoa. Megjithatë, golashënuesi më i mirë në kampionat është De Bruyne me 3 gola, ndjekur nga Anguissa dhe Højlund (2). Kampionët në fuqi kanë shënuar 12 gola, pas Interit (17).
Interi është sulmi më i mirë i Italisë dhe ndër më të fortët në Europë me 17 gola. Lautaro dhe Thuram kanë nga 3 gola, ndërsa Bonny (2 gola, 3 asiste) dhe Pio Esposito po shkëlqejnë. Roma e Gasperinit ka shënuar vetëm 7 gola në 6 ndeshje. Vetëm një gol nga qendërsulmuesit (Dovbyk), ndërsa Ferguson mbetet ende i pazhbllokuar. Soule është golashënuesi më i mirë me 3 gola.
Milani po vuan në repartin ofensiv: Pulisic ka 4 gola, por Gimenez (0 gola në 451 minuta) dhe Leao nuk po shënojnë. Juventusi ka paradoksin e “numrit 9”; shumë alternativa dhe pak efikasitet. Nga 9 gola në total, vetëm 3 janë të sulmuesve (Vlahovic, David, Yildiz).