Wanda Nara, “shkop dhe karotë” për Icardin: I duhet mbështetje psikologjike, po kalon një periudhë të tmerrshme

Wanda Nara ka folur sërish për Mauro Icardin. Këtë e ka bërë jashtë Gjykatës së Buenos Aires, ku ishte thirrur për të dëshmuar në lidhje me kallëzimin ndaj ish-bashkëshortit për keqtrajtim të supozuar ndaj njërit prej tre fëmijëve që ajo ka me Maxi Lopez. Pavarësisht zhurmës mediatike dhe ligjore, Wanda u shfaq e qetë. “Jam shumë e qetë”, – përsëriti disa herë.
Një nga pyetjet më të përsëritura nga gazetarët ishte për Lara Piro, avokatja e Icardit, e cila ditët e fundit e kishte quajtur sipërmarrësen “një grua të keqe”. Wanda u përgjigj me vendosmëri: “Më erdhi keq. Klienti i saj ka pasur një marrëdhënie me mua për 12 vite dhe më duket e parespektueshme të flasë në atë mënyrë për nënën e vajzave të tij”.
Sa i përket mundësisë për ta rindërtuar lidhjen mes vajzave Isabel dhe Francesca me babain e tyre, ajo siguroi: “Po punojmë për këtë. Të martën i kushtova pesë orë kohë kësaj çështjeje, lashë punën për këtë. Sepse për mua është prioritet. E di që është e rëndësishme për vajzat”.
Wanda foli edhe për gjendjen e saj shëndetësore. “Në Fundaleu (qendra mjekësore), gjëja e parë që më thonë është që çështja e divorcit me Icardin të përfundojë sa më shpejt, – tha ajo, duke iu referuar trajtimit që po merr kundër leucemisë. – Erdha këtu sot sepse po mbështes një kallëzim që si nënë, duhet ta mbështes”.
Gazetarëve që e ndaluan jashtë Prokurorisë, Wanda Nara iu kujtoi se forca e saj më e madhe mbetet familja: “Pika ime e dobët janë fëmijët. E dinë që nëse më godasin aty, do të më bëjnë të vuaj”. Larg reagimit me mëri, ajo tregoi njëfarë empatie për Mauro Icardin, i cili qëndroi pranë saj për më shumë se një dekadë:
“I uroj më të mirën. Shpresoj që ta kalojë këtë, ta rindërtojë jetën e tij, të jetë i lumtur. E njoh, e di që po kalon një periudhë të tmerrshme. Mendoj se ka nevojë për ndihmë psikologjike. Kam qenë me Mauron për 12 vite. Askush nuk e njeh më mirë se unë. E dija si do të zhvillohej gjithçka, e kisha parashikuar”.
Megjithë kallëzimin, Nara pranoi se të gjithë fëmijët e saj duan ta takojnë Icardin: “Fëmijët duan ta shohin Mauron, pavarësisht gjithçkaje. Dhe unë, si nëna e tyre, do të kujdesem që kjo të ndodhë në mënyrën më të sigurt për ta dhe për të gjithë”.
“Po merrem me gjërat që gjykatat ende nuk ua kanë ofruar fëmijëve: ushqimin, taksat shkollore dhe sigurimet shoqërore. Këto janë detyrime të çdo prindi. Po merrem me gjithçka vetë, – bëri të ditur Wanda Nara, e cila edhe një herë konfirmoi se Icardi nuk e mbështet ekonomikisht, as atë dhe as vajzat.
– Edhe kafshët shtëpiake që kishim bashkë në Europë janë braktisur”, – përfundoi ajo, duke iu referuar qenve dhe maceve që kishin në Stamboll dhe që pas ndarjes janë zhdukur papritur.