Pulisic: Më vret fakti që e zhgënjeva Milanin, do të punoj 10 herë më shumë për t’i rregulluar gjërat

6 Tetor 2025

14:00

Alfred Lleshi

Ka një lojtar që më shumë se kushdo tjetër e ka shtyrë Milanin drejt vendit të 3-të në klasifikim, në këtë fillim sezoni, dhe ai është Christian Pulisic. Megjithatë, të dielën mbrëma amerikani ishte protagonist i një gabimi të rëndë nga pika e bardhë ndaj Juventusit, penallti që do t’iu kishte dhuruar kuqezinjve kreun e renditjes dhe një fitore shumë të vlefshme në fushën e një rivali direkt, pas suksesit 2-1 kundër Napolit.
Sulmuesi i Milanit, i zhgënjyer më shumë se kushdo, reagoi në rrjetet sociale: “Më vret fakti që e zhgënjeva këtë klub. Do të punoj 10 herë më shumë për ta rregulluar gabimin. Forca Milan, gjithmonë!” Një mesazh që, edhe pse nuk ishte i nevojshëm, ia shtoi edhe më shumë dashurinë e tifozëve kuqezinj.
Performanca e tij u vlerësua pozitivisht nga Massimiliano Allegri, i cili e mbajti në fushë gjatë për t’i shfrytëzuar maksimalisht cilësitë e amerikanit. Një penallti e humbur nuk ndryshon gjykimet, por është fakt që Milani ka gabuar 5 nga 7 penalltitë e fundit dhe 7 nga 13 në total, shifra shumë të larta për një skuadër që synon objektiva madhorë si titulli kampion.