Tirana shkatërron Partizanin në “Arena Kombëtare”, derbi kryeqytetas vishet bardheblu

Adriatik BALLA
Derbi i parë sezonal midis Partizanit dhe Tiranës, luajtur mbrëmë në stadiumin “Arena Kombëtare” e kryeqytetit, përfundoi me fitoren e bardhebluve 3-0, një fitore e thellë dhe shpërthyese nga Tirana, që del nga derbi me tri pikë të çmuara. Ishte një fitore prestigji për Tiranën, e në të njëjtën kohë një humbje e rëndë e turpëruese për Partizanin që ka një nisje të vakët këtë edicion.
Pjesa e parë, dy gola mes tensionit
Partizani e nisi më mirë ndeshjen e mbrëmshme deri, duke qenë më këmbëngulës në 10 minutat e para. Në minutën e 7-të, Garsia harkon një top në zonë për Bintsuka i cili devijon me kokë, por gjen Tafas të vëmendshëm në pozicion. Ndërkohë, në minutën e 11-të, Hjuman harkon në zonë një goditje dënimi, Soler largon rrezikun para katërkëndorit bardheblu. Por atë që se bëri Partizani, e realizoi Tirana që në aksionin e parë serioz që organizuan bardheblutë. Në minutën e 19-të Tirana gjeti kështu golin e epërsisë. Top i gjatë i Soler i cili gjen Falaje në zonë, gjuajtja me kokë e sulmuesit mes mbrojtësve dhe dalja e gabuar e Hoxhës bën që sfera të shkojë në rrjetë. Partizani i gjendur i papërgatitur përpiqet të reagojë, por pa forcën e duhur. Në të 22’, Kote provon nga jashtë zonës, goditja është qendrore dhe shkon në duart e Tafas. Tri minuta më pas, Marku ndëshkohet me të verdhë për faull ndaj Fernandez, ndërsa vetë futbollisti i bardhebluve merr të verdhë gjithashtu pasi kërkoi karton për kundërshtarin. Në minutën e 29-të do të vinte momenti i një episodi që la gjurmë në ndeshje, pasi i dha drejtim fitores së Tiranës. Fernandezit i ik topi nga këmbët në të djathtën, sfera shkon te Patsatsia i cili rrëzohet pas një shtyrje të Markut. Gjyqtari Eldorjan Hamiti bën shenjë nga pika e bardhë. Nga 11-metrat tregohet i saktë Patsatsia që dyfishon shifrat e Tiranës që në pjesën e parë. pas golit ka tension, ku portieri Tafas merr karton të verdhë. Në minutën e 39-të u bë e njëjta skemë si te goli i parë, por këtë herë portieri Hoxha u tregua i saktë në ndërhyrje. Pjesa e parë mbyllet me Partizanin në sulm që në ato momente aktivizoi edhe Skukën, por Tirana ia doli ta mbyllë 2-0 këtë fraksion.
Pjesa e dytë, bardheblutë rreshtohen në mbrojtje
Në pjesën e dytë Partizani për afro 15 minuta me radhë sulmon furishëm për të gjetur golin, por lojtarët e kuq tregohen të pavëmendshëm në momentet deçizive. As Skuka e as Garsia nuk ia doli të devijojnë topin në rrjetë. Tirana do të kundërsulmonte në të 60’, por Vogli i vetëm përballë portierit Qirko (aktivizuar në fillim të pjesës së dytë), nuk arrin të godasë. Tirana përpiqet të ulë ritmin e ndeshjes duke bërë zëvendësime, kurse Partizani shton forcat në sulm për të ngushtuar diferencën. Por fuqitë e Partizanit janë të limituara dhe rregulli në futboll “po s’shënove do e pësosh”, ndodhi edhe në këtë takim. Tabekou shënon për Tiranën golin e tretë në minutën e 74-t, duke e vendosur fitoren bardheblu në “shinat e duhura”. Me këtë rezultat përfundoi derbi, pra Tirana fiton 3-0 dhe lë pas hijet krizës duke ia faturuar atë rivalëve të qytetit që i zbret në vend të parafundit. Partizani, është skuadra që ka pësuar më shumë gola, plot 11 të tillë, e ka shënuar vetëm 3 gola.
Abissnet Superiore – Java 6
E premte, 3 tetor
Partizani-Tirana          3-0
E shtunë, 4 tetor
Dinamo Siti-Flamurtari 15:30
Vllaznia-Elbasani 19:00
E diel, 5 tetor
Vora-Egnatia 14:00
Teuta-Bylis 17:00
 
Renditja
Nr.Skuadra    Pikë
1.Elbasani        11
2.Vllaznia        10
3.Egnatia         10
4.Teuta            7
5.Vora             7
6.Dinamo        7
7.Bylis             6
8.Tirana           5
9.Partizani       4
10.Flamurtari   2