Sylvinho: Kemi luajtur mirë në Pragë, Varshavë, kudo. Shkojmë për fitore ndaj Serbisë

Kombëtarja jonë kuqezi do të përballet më 11 tetor me Serbinë, një ndeshje vendimtare për kualifikueset e Botërorit 2026. Trajneri Sylvinho ka publikuar listën me 25 lojtarë, ku spikat thirrja e parë e Klinsman Cakes dhe mungesa e Ernest Muçit. Braziliani theksoi se ka besim të plotë te grupi i lojtarëve. Ai vuri në dukje rëndësinë e ndeshjes, duke theksuar se futbolli luhet 90 minuta dhe Shqipëria duhet të japë maksimumin për të mbetur në garë për kualifikim. Për lojtarët e rinj si Seferi, Gripshi dhe Mehmeti, trajneri shpjegoi se do të ketë mundësi në ndeshjet e ardhshme, por aktualisht ka zgjedhur të punojë me grupin prej 25 futbollistësh:
“Pikë së pari, është një listë me 25 lojtarë dhe kemi një situatë pak më ndryshe. E dini që Ismajli pësoi një dëmtim 4 ditë më parë, nuk luan në fundjavë, nuk udhëton për ndeshjen ndaj Lazios. Ne presim stafin mjekësor të klubit, të bie dakord me doktorin tonë Stesina. Ai është i dëmtuar, të shohim në fundjavë situatën për të kuptuar më qartë. Nuk ka çfarë fshihet këtu”.Mbi listën e publikuar sot: “Besoj absolutisht te lojtarët tanë, nuk është momenti i eksperimenteve. Është një moment shumë i rëndësishëm kualifikimi, i njohim shumë mirë lojtarët. Padyshim që prej dëmtimeve kemi Klisman Cake, që hyn në grup. Është momenti i lojtarëve me eksperiencë, jo për ata 20-21-22 vjeç. Besoj shumë te të gjithë, jam absolutisht i kënaqur nga kjo listë lojtarësh të grumbulluar”.
Ndeshja ndaj Serbisë: “Do të jetë shumë e vështirë për të dyja skuadrat, edhe shumë e rëndësishme. Ne shkojmë atje në garë, në gjendje për t’u kualifikuar. Serbët janë të fortë, me shumë eksperiencë. Siç e them gjithmonë, futbolli luhet 90 minuta, nuk fitohet në 10-15-25 minuta. Duhet të bëjmë një ndeshje të plotë, 90 minuta. Është ndeshje shumë e rëndësishme, jemi të ndërgjegshëm çfarë duhet të bëjmë. Unë kam shumë besim te ky grup. Lojtarët, kur janë në këtë nivel besimi, më kënaqin. Mund të shkojmë kudo e të luajmë shumë të bukur. E kemi bërë në Pragë, Varshavë, kudo. Jemi të përqendruar 100% në këtë ndeshje, e përsëris se janë 90 minuta shumë të rëndësishme për ne, për të dyja skuadrat”.
A vendos kjo ndeshje nëse shkojmë në Botëror: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ta mbajtur gjallë objektivin e kualifikimit në Botëror. Nuk është definitive, sepse janë edhe dy ndeshje të tjera, përveçse me Serbinë. Duhet ta kalojmë me sukses këtë ndeshje të vështirë. Sipas meje është një ndeshje shumë e rëndësishme, duhet të përgatitemi për fitore. Nuk është shansi i fundit. Nëse çdo gjë shkon mirë, është edhe “play-off”. Objektivi në këtë moment është të përfundojmë në vendin e dytë, Anglia është shumë e fortë. Tani duhet të përqëndrohemi 100% te Serbia. Është pengesë e vështirë, por do të japim maksimumin”.

Çfarë duhet të bëjnë më shumë Seferi, Gripshi dhe Mehmeti për t’u përfshirë në skuadër: “Unë zgjedh për të mos shkuar me 28 lojtarë në Serbi. Preferoj të punoj me aq lojtarë, 25. T’i dërgoj lojtarët në tribunë është e shëmtuar. Gripshin e kam parë prej 6 muajsh dhe më pëlqen. Mehmetin e kemi vizituar, por kemi shumë lojtarë në krahun e majtë. E kemi pasur Mehmetin këtu, ka luajtur në të djathtë. Me ekipin e tij luan në krahun e majtë, ne e kemi pozicionuar në të djathtë. Bëhen shumë lojtarë, nuk mund të marr 27-28 lojtarë në Serbi, është zgjedhja ime. Seferi ka bërë mirë, por jam shumë i kënaqur me të gjithë. Çokaj më ka pëlqyer shumë, por në thelb kjo është lista”.
Si duhet të jetë përgatitja psikologjike para Serbisë: “11 vite më parë ndodhi një incident, mendoj se futbolli ka bërë një hap para në të gjithë drejtimet. Ne do të përgatitemi të shkojmë e të luajmë një ndeshje futbolli. Do të shohim ndeshje të bukur nga të dyja palët. Do ta përgatitim ndeshjen mirë. Të thuash që është një ndeshje normale … Do të shkojmë që të luajmë me përqendrim 100%. Nuk shkojmë me 26-27 lojtarë, pasi duhet të jemi të përqendruar vetëm te ndeshja. Unë preferoj mesazhin për ekipin. Kemi 5-6 ditë radhazi për të punuar me të gjithë, edhe në nivel individual”.
Pse nuk thirret Berisha: “Ne shkojmë me këto tre portierë që kanë bërë mirë. Ia kam thënë Ilir Bozhiqit, përgatitësit tonë, më ka pëlqyer stërvitja e tyre. Dajsinani po bën shumë mirë. Simoni është i ri, duhet ta përgatisim për të ardhmen. Kur e mora në Europian, e bëra sepse te Simoni kam besim shumë, në të ardhmen mund të marrë një vend në këtë kombëtare. Në futboll ndodh kështu, ka ndryshim brezash”.
Sipas presidentit Duka, kjo ndeshje vendos fatin e kualifikimit dhe të ardhmen tuaj: “E ka thënë këtë presidenti? Duhet të përqendrohemi 100 përqind te Serbia. Për të ardhmen time duhet të mendoj vetë, por nuk është momenti. Nuk më shqetëson aspak e ardhmja, duhet të përqendrohemi te Serbia. Ndeshja me Serbinë nuk është e rëndësishme, por shumë e rëndësishme”.
Pse mungon Muçi: “Ka nisur rrugëtim të ri në rang klubi, por siç e thashë ka shumë lojtarë në krahun e majtë. Duhet t’i zgjedh lojtarët, do të shkoj me 25 lojtarë, jo me 28 në Serbi”.
A do të grumbullohet zëvendësues, nëse Ismajli nuk ia del: “Nëse Ismajli nuk ia del, duhet ta mendojmë. Ka një mundësi për të shkuar me 24 lojtarë. Në fundjavë, praktikisht do të luajnë të gjithë me klubet, pastaj do ta shikojmë situatën”.
Ndryshimi i stadiumit: “Nuk ndryshon gjë ndryshimi i stadiumit nag Serbia. Ata janë mësuar tek ai stadium, për ne nuk ndryshon asgjë”.
Befason Sylvinho, fton mbrojtësin e Shkëndijës së Tetovës. Publikon listën për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Jordanisë

Serbia me “armatën” e Serie A ndaj Shqipërisë, grumbullohet për herë të parë Stankovic