3 Tetor 2025
8:04
Alfred Lleshi
Neymar ndërmerr veprime ligjore ndaj një gazetari brazilian. Sulmuesi i Santos ka paditur Rodolfo Gomes, i cili pretendonte se Neymar ishte “i varur nga ‘whisky’, pinte ‘cachimba’, konsumonte pije energjike dhe luante video-lojëra deri vonë”. Përfaqësuesit e Neymar e quajtën këtë deklaratë “shpifëse, njollosëse të imazhit dhe të rreme”.
Gomes shtoi se Neymar nuk do të kthehet në fushë këtë vit, edhe pse parashikimet e fundit flisnin për në nëntor. Ai pretendoi se zakonet e tij të jetës së natës po ndikojnë te stërvitjet me ekipin. Neymar ka qenë jashtë fushave që nga 18 shtatori, për shkak të një dëmtimi të gradës 2 në muskujt e këmbës së djathtë.
Sulmuesi reagoi në Instagram me një foto të një pije energjike dhe shkrimin: “I varur pas Red Bull. Kjo është fantastike”. Në Brazil mbeten edhe 10 ndeshje të kampionatit, ndërsa Santos renditet i 16-ti me 28 pikë, vetëm 5 pikë larg zonës së rënies nga kategoria.
