Fitore e humbur në 90′, Tudor: Pati zemërim në dhomën e zhveshjes, s’mund të pësojmë gola nga këndi

2 Tetor 2025

8:05

Alfred Lleshi

“Villareal ishte më mirë në pjesën e parë, ne në të dytën. Më vjen keq që nuk e mbyllëm më herët ndeshjen, pësuam gol në atë mënyrë, nga goditja e këndit”, – tha Igor Tudor pas barazimit 2-2 në fushën e Villarrealit. Në fakt ishte një fitore e humbur në minutën e 90-të:
“Në pjesën e parë gabuan shumë pasime, në të dytën bëmë më mirë. E kishim fitoren në dorë. Po punojmë mbi goditjet standarde, e kishim ndeshjen nën kontroll, nuk pashë vuajtje, por nuk mund të pësojmë nga këndi. Duhet të punojmë mbi dobësitë tona dhe të luajmë mirë në të dyja pjesët”.
Tudor vlerësoi: “Skuadra është aty, në ritëm. Tani shohim përpara. Gatti bëri një gol të bukur dhe një ndeshje të mirë. Në dhomat e zhveshjes kishte keqardhje dhe zemërim. Është gjithmonë e vështirë këtu. Tre mbrojtësit (Kalulu, Gatti, Kelly) po mbajnë barrën. Na mungon pak rikuperimi i topave të dytë, por jam i kënaqur me paraqitjen e tyre. ‘Gattone’ bëri atë gol spektakolar me roveshiatë, nuk e priste askush”.