“Amnesty International” presion UEFA-s e FIFA-s: Pezulloni sa më parë Izraelin!

Adriatik BALLA
Të gjithë tani duan që Izraeli të penalizohet për shkak të masakrave që ka bërë ndaj popullsisë civile në Gaza. Grupi për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, u ka bërë thirrje të mërkurën organeve botërore dhe evropiane të futbollit, FIFA-s dhe UEFA-s, ta pezullojnë Izraelin nga futbolli ndërkombëtar. Prania e gjashtë skuadrave nga vendbanimet në Bregun e uzurpuar Perëndimor në ligat izraelite e shkel ligjin ndërkombëtar dhe rregullat e vetë FIFA-s. Sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnes Kallamard, theksoi se, ndërkohë që kombëtarja e Izraelit përgatitet për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Norvegjisë dhe Italisë, Izraeli “po vazhdon të kryejë gjenocid kundër palestinezëve në Rripin e Gazës”.
“Mbi 800 sportistë, lojtarë dhe zyrtarë sportivë janë në mesin e më shumë se 65.000 palestinezëve që forcat izraelite i kanë vrarë në një fushatë të qëllimshme shkatërrimi masiv, shpërnguljeje të detyruar dhe urie ndaj civilëve”, tha ajo. “Njëkohësisht, Izraeli po zgjeron me brutalitet vendbanimet e tij të paligjshme dhe po legjitimon postet e paligjshme në Bregun Perëndimor si pjesë e pushtimit të tij të paligjshëm të territoreve palestineze”. Ajo e quajti të “turpshëm” vendimin e Federatës së Futbollit të Izraelit për t’i lejuar klubet nga këto vendbanime të luajnë në ligat e saj, pavarësisht paralajmërimeve të shumta për më shumë se një dekadë.
“Futbolli nuk luhet në një vakum. FIFA dhe UEFA duhet të pranojnë përgjegjësitë e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të ndalojnë lejimin e ekipeve kombëtare dhe klubeve izraelite të marrin pjesë në garat ndërkombëtare ose evropiane derisa Federata Izraelite e Futbollit të pezullojë të gjitha klubet nga vendbanimet e paligjshme”, shtoi ajo. Burime brenda federatave anëtare të UEFA-s bënë me dije javën e kaluar se ekziston mundësia e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të komitetit ekzekutiv të UEFA-s për të diskutuar opsionin e pezullimit të Izraelit për shkak të luftës në Gazë. Megjithatë, asnjë mbledhje nuk është thirrur.
Këshilli i FIFA-s mblidhet të enjten, por nënkryetari i saj, Viktor Montagliani, tha të mërkurën se vendimi për Izraelin është çështje që i takon UEFA-s, si një nga federatat anëtare evropiane. Presidenti i Federatës Izraelite të Futbollit, Moshe Zuares, duke folur për rrjetin norvegjez TV2 javën e kaluar, tha se pezullimi i vendit të tij “nuk do ta ndalojë një luftë apo atë që po ndodh”. “Nuk mendoj se ndalimi i futbollit do të ndihmojë në ndonjë mënyrë”, tha ai. “Nuk pashë që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës përfundoi pasi Rusia u përjashtua? Nuk mendoj se përjashtimi i saj zgjidhi ndonjë problem”.