Përfaqësuesja e Kosovës, kontigjenti i ardhur nga Europa cilësor dhe shumë i madh në numër

Adriatik BALLA
Lëvizje interesante po ndodhin nga lojtarët shqiptarë të Kosovës, që kanë cilësi. Shkaktoi bujë vendimi i Albian Hajdarit për të përfaqësuar Kosovën. Përfaqësuesja “dardane” pritet të përfitojë shumë nga mbrojtësi i Hofenheimit. Kjo skuadër garon në Bundesligën e Gjermanisë, njëra prej pesë ligave më të forta evropiane të futbollit. Me Hajdarin, Kosova “kompleton” njëmbëdhjetëshin e lojtarëve që bëjnë karrierë në klubet e top-ligave evropiane. Asnjëherë përfaqësuesja e Kosovës nuk ka pasur kaq shumë futbollistë në kampionatet e mëdha të kontinentit. Natyrisht, me këtë rritet edhe kërkesa për kualifikim në një ngjarje të madhe futbolli, Botëror apo Evropian.
Këtë e pranon edhe drejtori i përfaqësueses, Muharrem Sahiti. “Kur është niveli i lojtarëve i lartë, kur ka më shumë lojtarë që luajnë në këto liga të forta, atëherë kërkesa për sukses rritet. Kërkesa rritet si në opinion ashtu edhe te ne, te lojtarët, te shtabi teknik. Fatmirësisht që këta lojtarë janë pjesë e jona dhe sigurisht që janë rritur dhe do të rriten pritjet. Mendoj se bëhet detyrim kualifikimi”, ka thënë Sahiti. Ai thekson se Albian Hajdari do të jetë konkurrent i denjë për një pozitë në qendër të mbrojtjes te Kosova.
Nëse gjërat shkojnë siç duhet me dokumentacion, 22-vjeçari do të jetë pjesë e grumbullimit për ndeshjet e tetorit. Kosova më 10 tetor e pret Slloveninë, kurse tri ditë më pas luan në udhëtim ndaj Suedisë. Hajdari do të udhëtojë së bashku me Leon Avdullahun dhe Fisnik Asllanin drejt Kosovës. Të tre janë pjesë e Hofenheimit. Pjesë e klubeve të Bundesligës janë edhe tre lojtarë tjerë të Kosovës: mesfushori Elvis Rexhbeçaj, mbrojtësi i krahut Leart Paqarada dhe sulmuesi i krahut Emir Sahiti. Sahiti së fundi ka shprehur pakënaqësi me pozitën e tij në përfaqësuese dhe nuk u grumbullua në shtator.
Lojtarët e Serisë A
Në Serie A paraqiten portieri Arijanet Muriqi, mbrojtësit Mërgim Vojvoda e Amir Rrahmani dhe sulmuesi i krahut, Edon Zhegrova. Në La Liga karrierë të suksesshme bënë sulmuesi Vedat Muriqi. “Është gërshetuar përvoja me rininë. Do të jemi një Kombëtare shumë e rrezikshme”, është shprehur Muharrem Sahiti. Asllani dhe Avdullahu janë prej lojtarëve kryesorë te klubi elitar gjerman. Hajdari në ndeshjen kundër Bajernit luajti 90 minuta. Mungoi ndaj Freiburgut në fundjavën e kaluar shkaku i gripit. Por ai pritet të jetë një prej shtyllave të mbrojtjes së Hofenheimit, njëjtë siç janë Avdullahu në mesfushë e Asllani në sulm.
Shumica e lojtarëve nga top-ligat janë të rëndësishëm edhe te Kosova. “Lojtari që përfaqëson Kombëtaren duhet të ketë minutazh ku luan, sidomos në ligat e forta evropiane. Ardhja e tyre ka krijuar konkurrencë të jashtëzakonshme në ekipin e Kosovës. Tash Kosova ka konkurrencë brenda grupit. Jemi në të gjitha pozitat të fortë. Jemi në rrugë të mirë dhe të drejtë. Jemi skuadër më kualitative se në vitet e mëhershme, pa anashkaluar lojtarët kualitativë që janë pensionuar”, ka theksuar drejtori i përfaqësueses së Kosovës. Me fitoren ndaj Suedisë, 2:0, në Prishtinë, Kosova ka ngjallur shpresat për të siguruar vendin e dytë në grupin kualifikues për Botëror. Pozita e dytë siguron “play-off”.