Adriatik BALLA
FSHF e ka pësuar sërish nga FIFA, pasi merr gjobë 10 mijë franga për incidente në sfidën me Letoninë, ndërsa ky vendim do të apelohet nga federata. “Komisioni i Disiplinës i FIFA-s ka vendosur të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 10 mijë franga zvicerane, për incidente të ndodhura jashtë stadiumit “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri – Letoni, më 9 shtator 2025, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2026. FSHF bën me dije se do ta apelojë këtë vendim në instancat përkatëse të FIFA-s dhe ka nisur procedurat ligjore. Federata u bën thirrje tifozëve që në ndeshjet e ardhshme të tregojnë qytetari dhe të mbështesin Kombëtaren pa shkaktuar situata që dëmtojnë imazhin dhe interesat e saj. Po ashtu, kërkojmë bashkëpunim të plotë nga institucionet e rendit për të siguruar që çdo sfidë të jetë një festë futbolli”.
Në grupin K FIFA po bën “namin” me gjoba
Më 23 korrik, FSHF ishte dënuar nga Komisioni Disiplinor i FIFA-s me 161 mijë e 500 franga zvicerane dhe mbyllje të 20 % të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen e radhës ndaj Letonisë. Shqipëria ishte dënuar rëndë për shkeljet e bëra në ndeshjen e 7 qershorit ndaj Serbisë, të luajtur në “Air Albania”. Ndërkohë për shkelje të ngjashme, të bëra në ndeshjen ndaj Anglisë, Federata e Futbollit e Serbisë është gjobitur të martën përgjysmë më pak. Serbët duhet të paguajnë 80 mijë franga zvicerane, përkatësisht 85 mijë euro, dhe po ashtu mund të detyrohen të mbyllin 20 % të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen e radhës, që është pikërisht ndaj Shqipërisë.
Por mbyllja e tribunave nuk është përfundimtare. FSHF-ja ishte dënuar rëndë për “sjellje të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë – këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorim të gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare”. Federata e Futbollit e Serbisë u dënua me 80 mijë franga për “pamundësi për të siguruar rend dhe disiplinë brenda dhe rreth stadiumit; përdorim të dritës së laserit dhe veprime, fjalë e mjete të palejuara; për pengim gjatë intonimit të himnit; sjellje diskriminuese të disa tifozëve”.
Arsyet pak a shumë janë të ngjashme, shuma e dënimit jo. FSHF-ja ishte dënuar nga FIFA edhe për “sjellje diskriminuese të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes ndaj Andorrës”, të zhvilluar më 24 mars të këtij viti. FSHF-ja ishte dënuar me 20 mijë franga dhe me mbylljen e të paktën 20 % të stadiumit për ndeshjen e qershorit ndaj Serbisë. Por, si tani me federatën serbe, ishte lënë mundësia që ajo pjesë të mbushet me grupe të komunitetit dhe organizata kundër diskriminimit. Dhe në ndeshjen ndaj Serbisë nuk ishte asnjë vend i lirë. Ka pasur fyerje të vazhdueshme ndaj serbëve në atë ndeshje në Tiranë. Në ndeshjen e 9 shtatorit mes Serbisë dhe Anglisë, të luajtur në Beograd, ka pasur fyerje ndaj shqiptarëve e Kosovës dhe plot shkelje tjera. Ka pasur edhe sulm fizik ndaj shikuesve nga grupe kriminale të afërta me pushtetin në Serbi. Anglia e fitoi ndeshjen me rezultatin 5:0.
FIFA penalizon sërish Shqipërinë me gjobë, aspak e balancuar me penalitetin më të lehtë financiar që i dha Serbisë
