Adriatik BALLA
Menjëherë pas ndeshjeve të Kombëtares, ndaj Anglisë dhe Andorrës, lojtarët e përfaqësueses u kthyen pranë skuadrave të tyre të motivuar për të mbyllur me sukses edicionin sportiv, me shpresën se në këto xhiro të fundit të sezonit do të arrijnë të lënë gjurmën e tyre në skuadrat ku bëjnë pjesë. Për disa merkato po afron dhe ata do të bëjnë çmos të shkojnë në klube më cilësore për vazhdimin e karrierës së tyre. Në merkato mund të dalë dhe një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares kuqezi, sikurse është mesfushori Kristjan Asllani. Në merkato po kalon edhe portieri veteran Etrit Berisha, i cili ka marrë ofertë nga një klub suedez dhe shqiptari po e shqyrton me seriozitet këtë mundësi.
Në fakt, sikurse raportojnë mediat ndryshme sportive nga vendi matanë detit, Interi do të vendosë në këtë verë nëse do të mbajë në radhët e tij Kristjan Asllanin apo nëse do t’i hapë rrugë një transferimi të mundshëm të mesfushorit shqiptar. Paraqitjet e tij kanë qenë me luhatje në këtë edicion ndaj një largim i mundshëm i Asllanit nga zikaltrit nuk duhet përjashtuar në verë. Për futbollistin kanë shfaqur interes klube të ndryshme në Itali, pasi ai gjithsesi cilësohet si një nga mesfushorët më të mirë për rolin para mbrojtjes në këtë kampionat. Mediat italiane shpjegojnë se tre klube janë në plan të parë mes atyre që ndjekin më vëmendje situatën e lojtarit dhe janë gati të bëjnë një lëvizje në verë. Bolonja, Fiorentina dhe Torino bëhet e ditur se kanë kërkuar vazhdimisht informacion dhe të mësojnë nëse Interi po e merr në konsideratë idenë e largimit të tij. Të tre këto klube janë të gatshëm të bëjnë investime të rëndësishme ekonomike për të blerë futbollistin nëse krijohet mundësia. Interi ndërkohë vlerëson kartonin e tij rreth 20 milionë euro, por mund të pranojë edhe oferta pak më të ulëta në varësi të situatës dhe planeve të klubit për merkaton në hyrje.
Portieri/ Berisha kthehet në Suedi
Ndërkohë që Asllani shihet si opsion nga Interi për ta shitur në merkaton e verës tek një tjetër klub italian, një tjetër lojtar që ka kontribute në përfaqësuese duket se po i jep drejtim karrierës së tij. bëhet fjalë për portierin Etrit Berisha, që ka qenë pa skuadër, por ditët e fundit është hapur një derë për të në kampionatin suedez. Kështu, referuar mediave të ndryshme sportive, Etrit Berisha pritet të kthehet në Suedi te skuadra e Hackenit, pasi portieri i parë i kësaj skuadre, Andreas Linde, do të mungojë për kohë të gjatë shkaku i lëndimit. Kështu ka raportuar të enjten “Football Transfers”.
Është raportuar se Linde do të mungojë prej dy deri në tre muaj për shkak të një lëndimi muskulor. Berisha është pa klub aktualisht, qëkur u largua nga Empoli në verën e vitit të kaluar. 36-vjeçari karrierën e nisi te 2 Korriku në Prishtinë, ndërsa ka luajtur edhe për Kalmarin në Suedi dhe Atalantan, Lacion, SPAL-in, Torinon e Empolin në elitën italiane të futbollit. Në Serie A i ka 163 paraqitje. Berisha për 80 ndeshje e ka mbrojtur edhe portën e Shqipërisë. Ishte pjesë e “kuqezinjve” në dy Kampionate Evropiane, në vitin 2016 dhe 2024.
Tre klube italiane dëshirojnë Asllanin, Interi i vë çmim fillestar 20 mln euro, surpriza edhe nga portieri Berisha
