Nga Julia Vrapi
Akademiku Rexhep Qosja u shpall fituesi i çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024. Vepra e tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” u vlerësua nga juria, si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës. Ky çmim shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës, që kanë një rol në diskutimet publike. Juria e kryesuar nga Belina Budini vlerësoi veprën publicistike të akademikut Rexhep Qosja me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”. Për arsye shëndetësore, autori i madh i letrave shqipe nuk mori vetë pjesë në ceremoni në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe vlerësimin në vend të tij e mori botuesi. Akademiku Rexhep Qosja nëpërmjet një videomesazhi falenderoi jurinë për vlerësimin dhe çmoi figurën e Lumo Skëndos.
“Çmimi “Lumo Skëndo”, me të cilin vlerësohet vepra ime në fjalë, është nderim i veçantë që më dhurohet, në moshën në të cilën jam. Është kënaqësi për mua, që këtu përpara jush, të mund të them disa fjalë për Lumo Skëndon, për Mit’hat Frashërin. Ai ishte nip i Naimit dhe Sami Frashërit. Ai ishte pjesëtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai, përpos me pseudonimin e shumëpopullarizuar Lumo Skëndo, ishte i njohur edhe me pseudonimet Mali Kokojka dhe Ismail Maloismani. Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo, ishte personalitet me dhunti, me kërshëri dhe me ide të gjithmonëshme krijuese. Ai ishe veprimtar politik dhe diplomatik, udhëpërshkrues, përkthyes, bibliofil”, tha Qosja. Në ceremoninë që u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, ishte e pranishme drejtoresha e kësaj qendre Alda Bardhyli, njerëz të letrave në vend si botues, studiues, shkrimtarë, etj. Kryetarja e jurisë Belina Budini e vlerësoi veprën e akademikut Qosja si një dokument të vetëdijes kombëtare, ndërsa Rudina Xhunga një nga anëtaret e jurisë e vlerësoi këtë vepër si një monument të shqipes, që na pasuron dhe na bën krenarë e mirënjohës.
Dhjetë finalistë për çmimin
Dhjetë finalistët e këtij edicioni ishin: Rexhep Qosja me veprën “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën”, Pirro Loli me veprën “Unë jam një tjetër”; Luan Rama me veprën “Udha e gjatë në tunelin e Platonit”; Bedri Islami me veprën “Kadare i oborrit apo i lirisë”; Sherif Bundo me veprën “Dollia shqiptare”; Arben Imami me veprën “Kushtetuta”; Viola Isufaj me veprën “Baladë dritash për Zorbën”; Edlira Cerkezi me veprën “Mitet dhe raporti me letërsinë artistike”; Enis Sulstarova me veprën “Samiu dhe Utopia”; Stefan Çapaliku me veprën “Post scriptum – studime kulturore”. Një vit më parë, fitues i çmimit “Lumo Skëndo” ishte Ilir Ikonomi me librin “Fan Noli”- Apostulli”. Dy vite më parë, fitues i çmimit “Lumo Skëndo” ishte Ben Blushi me librin “41 Sekrete”. Ndërsa tri vite më parë, që u mbajt edhe edicioni i parë, fituese e çmimit “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë në fushën e publicistikës dhe eseistikës për vitin 2021 ishte Lea Ypi me librin “Të lirë”. Mit’hat Frashëri (njohur me emrin Lumo Skëndo; Janinë, 25 mars 1880- SHBA 3 tetor 1949) në botën e letrave ka kontributin e tij si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog.
Rexhep Qosja me “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” fitues i çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024
