Alejandro Garnacho rrëfeu një nga momentet më të vështira të karrierës së tij, gjatë muajve që qëndroi jashtë ekipit nga Manchester United.
Lojtari argjentinas u hoq nga skuadra pas një debati me Ruben Amorim dhe mbeti jashtë deri në transferimin e tij te Chelsea.
I detyruar të stërvitej vetëm për pjesën më të madhe të verës, Garnacho duhej të priste deri në ditët e fundit të merkatos për të siguruar transferimin e tij të dëshiruar prej kohësh në Londër, në një marrëveshje me vlerë afërsisht 40 milionë £.
Në një intervistë me TNT Sports, sulmuesi i ri kujtoi atë periudhë:
“Ishte një kohë e ndërlikuar; stërvitja vetëm nuk ishte e lehtë. Nuk kam asgjë negative për të thënë për Manchester United, por ishte një kohë e vështirë në jetën time. Tani, megjithatë, jam i lumtur që jam këtu, që luaj në Champions League dhe që kemi fituar tri pikë të rëndësishme”.
Pasi mbërriti në Stamford Bridge, Garnacho duhej të priste pak para se të fitonte një vend në formacion. Pas debutimit të tij në Carabao Cup kundër Lincoln, 21-vjeçari u rikthye në formacionin titullar në fitoren 1-0 ndaj Benfica në Champions.
Ishte një mbrëmje e veçantë, një mbrëmje që përfaqësonte një lloj revanshi për të: “Të luaj në Champions ka qenë gjithmonë një ëndërr. Si fëmijë, imagjinonim net të tilla, dhe përjetimi i tyre në fakt ia vlen gjithçka. Kishim nevojë për një fitore si kjo pas humbjes sonë të parë – jemi të lumtur dhe gati të vazhdojmë në këtë rrugë”.
Garnacho rrëfehet: “Një nga momentet më të këqija të jetës sime”
