Milan ia del të fitojë me 10 lojtarë kundër Napolit dhe ngjitet në krye (video)

Milan ka fituar 2-1 ndaj Napolit në supersfidën e javës së pestë në Serie A, e luajtur në “San Siro”. Kuqezinjtë gjetën golin që në minutën e tretë, ku Christian Pulisic tregohet fenomenal, pas një pasimi të marrë nga Estupinan, amerikani niset më shumë se nga gjysma e fushës dhe kalon secilin që i del përpara dhe në fund asiston për Alexis Saelemaekers, i cili e kishte shumë të lehtë për ta dërguar në rrjetë. SHIKOGOLIN
Në minutën e 30-të, kuqezinjtë do të dyfishonin shifrat, pas një kombinimi të përkryer Pavlovic-Fofana-Pulisic, ky i fundit “shkund” portën e mbrojtur nga Meret. SHIKOGOLIN
Pjesa e parë mbyllet 2-0 nga kuqezinjtë, një dominim absolut në çdo drejtim nga të besuarit e Max Allegri-t. Pjesa e dytë nisi më mirë për napolitanët. Në minutën e 55-të, Estupinan shkakton penallti, pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Di Lorenzo. SHIKORASTIN
Arbitri kryesor i takimit shkon të shohë vetë pamjet në ekran, penallti për Napolin, karton i kuq për Estupinan. Kevin De Bruyne dërgon topin në rrjetë nga 11-metrat.
Allegri menjëherë kryen një zëvendësim të detyruar, largohet Pulisic, për të forcuar mbrojtjen me Davide Bartesaghi. I gjithë “San Siro” në këmbë dhe me duartrokitje të shumta për amerikanin, lojtarin më të mirë të ndeshjes.
Në 20 minutat e fundit u aktivizua edhe Rafael Leao, i rikthyer nga dëmtimi. Në minutat e mbetura nuk pati ndryshim të rezultatit. Milan fiton 2-1 dhe kryeson renditjen me 12 pikë, aq sa Napoli dhe Roma, por kuqezinjtë kanë golavarazhin më të mirë.