Donnarumma e ka obsesion Kupën e Botës: Italia s’mund të mungojë për herën e tretë radhazi

27 Shtator 2025

8:29

Alfred Lleshi

Gianluigi Donnarumma e sheh Botërorin si obsesion dhe nuk e pranon idenë e mungesës së tretë radhazi të Italisë. Pas shpalljes si portieri më i mirë i sezonit dhe fitues i çmimit “Yashin”, ai u shpreh për L’Équipe: “Shpresoj të kualifikohemi në Botëror, sepse pas dy edicionesh pa pjesëmarrje (2018, 2022) nuk mund të ketë një të tretë.
Italia duhet të jetë aty, një Botëror pa Italinë nuk është Botëror. Do të jap gjithçka për këtë. Jam i sigurt se me trajnerin Gattuso, stafin dhe gjithë skuadrën do ta rikthejmë Italinë aty ku meriton. E shpresoj me gjithë zemër, për të gëzuar gjithë italianët, sepse e meritojnë. Ky është objektivi”.
Rruga drejt Botërorit 2026 në SHBA, Kanada e Meksikë nuk ka nisur mirë. Italia u mposht 3-0 nga Norvegjia në debutim, një rival që më pas ka qenë perfekt edhe në ndeshjet e tjera. Kjo e bën të vështirë garën për vendin e parë në grupin I, duke detyruar axurrët të përgatiten edhe për një mundësi “play-off”-i.