Universitetet, mbi 10 mijë kuota bosh pas raundit të parë! Rriten kërkesat për programet 2-vjeçare

Nxënësit me mesatare nën 8.5, përfshirë edhe ata me rezultate më të ulëta apo që kanë ngelur në vjeshtë, po zgjedhin studimet dyvjeçare. Kreu i rrjetit akademik shqiptar, Arjan Xhelaj, thotë se në raundin e parë u regjistruan në universitete 16 mijë studentë, duke lënë mbi 10 mijë kuota bosh.

“Raundi i parë u mbyll me 16 mijë maturantë të regjistruar. Këtij numri mund t’i shtohen edhe mbi 6,300 të cilët kanë kaluar në raundin e dytë. Ka akoma kuota të cilat lidhen me fushën ekonomike dhe që kanë kërkesë të lartë, drejtësia ka programe, degët që të çojnë në mësuesi patën një ecuri të mirë. Në raundin e dytë patëm një aplikim të lartë tek nivelet dyvjeçare, që arrin në 19% të totalit të aplikimeve. Duke qenë se studentët ekselentë ezauruan kuotat më të kërkuara, një pjesë e mirë e këtyre që vijnë edhe nga vjeshta zgjedhin programet dyvjeçare.”

Jashtë universitetit nuk mbetet asnjë student, pasi këtë vit kuotat për në shkollë të lartë ishin afër 27 mijë, aq sa nxënës përfunduan maturën. Xhelaj thotë se numri i lartë i kuotave lidhet edhe me kapacitetet pritëse të universiteteve për studentë të huaj.

“Gjithmonë ka kuota të lira të cilat ngelen. Ka kapacitete në universitetet shqiptare dhe ndërkombëtarizimi është interes për studentët e huaj.”

Ekselentët ezauruan degët më të kërkuara të universiteteve, si mjekësia dhe inxhinieria, që në ditët para regjistrimeve. Ndërsa ata me mesatare nën 8.5 shpëtuan edhe degët e rrezikuara tek gjuhët e huaja, shkencat ekzakte dhe ato të universitetit bujqësor.