23 Shtator 2025
16:29
Telesport
“Daily Mirror” ka zbuluar një nga prapaskenat më të bujshme të merkatos së verës së fundit, me protagonist Gigio Donnarumma-n. Italiani kishte vendosur për t’u larguar nga PSG që pas finales së humbur 3-0 ndaj Chelsea-s në Kupën e Botës për Klube.
Dëshira parësore e italianit ishte të transferohej te Man. United, klub që kërkoi gjatë gjithë verës një portier ideal për të zëvendësuar Andre Onana-n, i cili pas formës së dobët në sezonin e kaluar u huazua te Trabzonspor. Arsyeja pse dështoi transferimi i Donnarumma-s te Man. United ishte për shkak të pagës së madhe të italianit.
Donnarumma kërkonte 20 milionë euro në sezon, që do ta bënte atë futbollistin më të paguar te “Djajtë e Kuq” dhe drejtuesit kishin frikë se kjo mund të sillte përçarje apo kundërshtim nga yjet e tjerë të ekipit.
Në këtë situatë, Donnaruma zgjodhi transferimin te Man. City, që pranoi direkt kërkesën e tij për 20 milionë euro në sezon, ndërsa Man. United zgjodhi një portier me kosto të ulët si belgu Senne Lammens.
