Dr. Alida Ramaj, shkencëtarja shqiptare që frymëzon infermierët në mbarë botën

Dr. Alida Ramaj, shkencëtare, ligjëruese dhe një zë frymëzues për infermierët në mbarë botën, mori pjesë në konkursin ndërkombëtar Speaker Slam në Gjermani, ku u vlerësua për një fjalim të fokusuar tek roli dhe rëndësia e infermierëve.Mesazhi i saj iu drejtua atyre që çdo ditë kujdesen për të tjerët, por shpesh harrojnë të vendosin veten në radhë të parë.“Çdo infermiere është një diamant – së pari për veten, më pas për sistemin shëndetësor”, theksoi Ramaj, duke sjellë një thirrje të fuqishme për rishikim të rolit të tyre.Në fjalimin e saj, ajo theksoi se infermierët mësojnë gjatë shkollimit të tyre të llogarisin me përpikëri miligramë dhe mililitra për të administruar medikamente. Por në jetën e përditshme, sipas saj, kufizime të tilla nuk ekzistojnë.“Kufijtë e vetëm janë ata që i vendosim vetë”, nënvizoi ajo, duke inkurajuar kolegët e saj të marrin përgjegjësi jo vetëm për shëndetin e pacientëve, por edhe për mirëqenien e tyre personale – trupin, mendjen, sigurinë financiare dhe zhvillimin individual.Si e vetmja shqiptare mes 149 pjesëmarrësve nga 22 shtete, Ramaj u dallua për autenticitetin dhe fuqinë e mesazhit që tejkaloi kufijtë e sallës. Fjalimi i saj nuk ishte thjesht një apel, por një ftesë për guxim: infermierët duhet të jenë krenarë për formimin e tyre profesional, por mbi të gjitha të kenë kurajon të shpalosin potencialin e tyre pa frikë.“Kush ka mësuar të marrë përgjegjësi për jetën e të tjerëve, ka edhe forcën të marrë përgjegjësi për veten,” theksoi Ramaj.Për të, kujdesi është një dhuratë, por dhurata më e madhe mbetet jetesa e plotë e potencialit vetjak.