Ishin të uritur, e zbulon Laporta: Gjithë delegacioni i Barcelonës hëngri hamburgerët e Yamal

23 Shtator 2025

11:42

Alfred Lleshi

Pas mbylljes së ceremonisë së “Topit të Artë”, përfaqësuesit e Barcelonës ishin të uritur. Ata pothuajse nuk kishin ngrënë asgjë dhe po afrohej ora e kthimit në Barcelonë. Lamine Yamal, së bashku me disa shokë dhe miq, vendosi të shkonte të blinte hamburgera për gjithë delegacionin blaugrana.
Këtë fakt e zbuloi presidenti Laporta në një intervistë për “Rac-1”: “Lamine ishte shumë i lumtur, duke bërë shaka pas ceremonisë. Na solli hamburgera në mesnatë, sepse nuk kishim ngrënë asgjë dhe të gjithë kishim shumë uri. Ishin hamburger shumë të shijshëm”.
Laporta shtoi se askush nuk e dinte fituesin para shpalljes: “Nuk e dinim kush do ta fitonte. Pyetëm gjithkënd; Iniesta, Ronaldinho, Ceferin…, askush nuk e dinte. As nivelet e larta në Francë, që pyetëm”.
Si sezonin e kaluar, Real Madridi nuk mori pjesë në gala. Laporta komentoi: “Madridasit nuk ishin në Paris? E respektoj vendimin e tyre. Ne vepruam ndryshe, nisur nga respekti për organizatorët. Duhet të jemi shumë krenarë për ceremoninë që çdo vit bëhet më e mirë”.