Berisha synon të jetë lider i Leçes, Kumbulla në pritje të mësojë sa do të mungojë

Adriatik BALLA
Kategoria Superiore në Shqipëri mbylli të dielën javën e katërt ku spikati fitorja e Vorës dhe e Egnatias respektivisht kundër Flamurtarit dhe Tiranës. Për këtë ecuri të xhiros trajnerët e ekipeve kombëtare kanë zgjedhur formacionin më të mirë dhe trajnerin më të mirë të javës. Ndërkohë, vëmendja nga legjionarët është përqendruar tek dëmtimi i mbrojtësit Marash Kumbulla, i cili mund të mungojë në ndeshjen që Shqipëria do të luajë kundër Serbisë më 11 tetor. Nga ana tjetër, mesfushori kuqezi Medon Berisha duket se kërkon të marrë rol lideri me Leçen në prag të sfidës me Milanin. Përgjithësisht kuqezinjtë që luajnë në Itali konsiderohen edhe si bërthamë e Kombëtares.
Medon Berisha synon të marrë rol lideri te mesfusha e Leçes
Skuadra e Leçes po noton në ujëra të turbullta në kampionat dhe shumëkush pret që gjatë mesjavës, në Kupën e Italisë, trajneri Eusebio Di Françesko, të mendojë më shumë për të përgatitur ndeshjet e Serisë A. Shorti e ka vënë Leçen përballë një misioni të vështirë, pasi si kundërshtar në këtë pikë të turneut ka Milanin i cili ka gjetur një shtysë të re nën drejtimin e Masimiliano Alegrit. Dhe sipas mediave italiane, për këtë ndeshje planifikohet një rotacion me disa futbollistë, të cilët duhet t’i tregojnë teknikut sa vlejnë për të rifituar vend në kampionat. I pasi është Medon Berisha, të cilit pritet t’i besohet pozicioni i regjisorit në fushë, në një detyrë mjaft të vështirë përballë emrave të njohur ku padyshim spikat ai i Luka Modriç. Ndërkohë, në sulm trajneri pritet të hedhë në fushë nga fillimi një emër që i është bashkuar Leçes pikërisht nga Milani, Françesko Kamarda, për të cilin minutazhi ka qenë i reduktuar në këto javë të para.
Kumbulla do t’i nënshtrohet testeve mjekësore, në dyshim ndeshja e Shqipërisë me Serbinë
Trajneri i Majorkës, Arrasate, duket se nuk mund të bëjë pa Marash Kumbullën dhe e hodhi në fushë në ndeshjen tepër të rëndësishme në La Ligë ndaj Atletiko Madridit. Gjithsesi, qëndrimi në terren i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare nuk vazhdoi më shumë se 36 minuta pasi ai ndjeu shqetësime fizike dhe u zëvendësua. Nuk dihet se për çfarë lëndimi bëhet fjalë dhe sesa do të jetë koha e riaftësimit. Majorka e tij arriti barazimin 1-1 në fund pas golit të shënuar nga sulmuesi kryesor i Kosovës, Vedat Muriqi. Natyrisht, për Kumbullën do të ketë vizita mjekësore gjatë kësaj jave. Shpresa është që futbollisti i kombëtares të mos ketë dëmtim të rëndësishëm, ndërsa afron ndeshja ndaj Serbisë në eliminatoret e Kupës së Botës. Lojtari 25-vjeçar ka qenë në fushë në 67 për qind të minutave në kampionat dhe po ashtu ka qenë titullar për Majorkën në 75 për qind të ndeshjeve, pra në tre nga katër. Ai vendosi ta vazhdonte karrierën në Spanjë pasi u paraqit mjaft mirë sezonin e kaluar tek Espanioli, gjithashtu në elitën e futbollit të këtij vendi. Luajti plot 35 ndeshje nga 38 gjithsej për skuadrën katalanase, duke shënuar 3 gola e duke qenë ndër më të mirët, por klubi nuk mundi ta mbante për shkak të rrogës së lartë që merrte te Roma, e cila e kishte huazuar, dhe tani e ka huazuar për herë të dytë. Mbetet të shihet a do të rikuperohet për duelin me Serbinë.