Vrasja e Liridona Ademajt/ Del raporti: Naim Murseli e Granit Plava nuk kanë probleme të shëndetit mendor

Naim Murseli dhe Granit Plava nuk kanë asnjë problem të shëndetit mendor. Ekzaminimi psikiatrik i tyre ishte në qendër të seancës së radhës gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt Pasi kishin kryer ekzaminimet psikike, në gjykatë u ftuan për t’u përgjigj në pyetje mjekët nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike që kryesuan komisionet e vlerësimit për dy të akuzuarit.
Për Naim Murselin, u tha se janë shfrytëzuar testet dhe analizat e nevojshme dhe rezultati është i qartë.
“Prej fëmijërisë e deri tani nuk janë shfaqur asnjë element i ndonjë çrregullimi të shqetësimit dhe në bazë të shkresave të lëndës nuk është ofruar asnjë dokument që do ta vërtetojë këtë çrregullim”, shprehet Shpend Haxhibeqiri nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike.
I akuzuari Naim Murseli, gjatë parashtrimit të pyetjeve, u shpreh i shqetësuar me rrjedhjen e raportit në media. Ai tha se mediat kanë raportuar se “ka qenë i vetëdijshëm për vrasjen” duke i kërkuar sqarime mjekut nëse ka pranuar fajësinë në prani të tij.
“A e kam pranuar ndonjëherë fajësinë për veprën që e kam bërë, për të cilën akuzohem, më fal. Apo e kam mohuar dhe e kam treguar versionin tim?”, tha Murseli.
“Gjatë vlerësimit tonë ne asnjëherë nuk kemi parashtruar pyetjen apo kemi bërë shtytjen që i njëjti se a ka kryer veprën apo jo. Por është e vërtetë që i njëjti ka mohuar gjatë deklarimit që ky e ka bërë veprën”, shtoi Haxhibeqiri.
Sa i përket Granit Plavës, të akuzuarit që dyshohet se ka shkrepur armën që i mori jetën Liridona Ademajt, është konfirmuar se ka qenë përdorues i kokainës.