Udhëtime nëpër shtigje të ashpra, eksplorim në plazhe të fshehura dhe peizazhe bregdetare marramendëse. Kështu duket një ditë me ATV (motorat me katër rrota).
“Vlora mbart një sërë atraksionesh turistike, të cilat vizitohen nga mijëra turistë çdo vit. Por cila është mënyra më e re dhe më sportive për të shkuar në këto destinacione? Xhesian Pashaj, prej dy vitesh, ofron këtë shërbim ndaj vizitorëve që zgjedhin Vlorën për pushime”, thotë gazetarja Greta Haskaj.
Duke shpjeguar itinerarin, i cili nis nga Manastiri i Zvërnecit, udhëtimi vijon përgjatë brigjeve ranore të plazhit Dalan dhe plazhit Portonovo, Laguna e Nartës (një rezervat natyror i gjerë prej 3,000 hektarësh). Xhesiani i përgjigjet pyetjes se pse zgjodhi Vlorën për të ushtruar këtë sport si guidë turistike.
“Një nga destinacionet që mbetet i vështirë për t’u aksesuar me një automjet normal është Dalani. Edhe pse është shtator, numri i frekuentimit të turistëve në këto zona është i lartë”, raporton gazetarja Greta Haskaj.
“Qyteti i Vlorës është i bukur me gjithë natyrën, edhe njerëzit janë shumë të dashur. Jam shumë i lumtur që jam këtu në Vlorë dhe në Shqipëri“, thotë një turist.
“Jam nga Siria, por jetoj në Gjermani. Këtu është hera ime e parë në Vlorë dhe jam shumë e lumtur, pasi njerëzit këtu janë shumë miqësorë dhe do të rikthehem sërish”, shprehet një turiste.
“Jam nga Ukraina dhe kam ardhur këtu për pushime. Po e kalojmë shumë, shumë bukur këtu, duke shëtitur edhe me motora”, shton një tjetër.
“Kemi ardhur për pushime dhe jemi nga Polonia. Vlora është shumë e bukur dhe këto ditë po qëndrojmë në Orikum”, thotë një tjetër turiste.
“Eksperienca këtu në Vlorë është shumë fantastike dhe jam për herë të parë këtu“, shprehet një turist polak për Klan News.
Në qytetin bregdetar ka mjaft mënyra se si mund të vizitosh destinacione të veçanta, njësoj si me motorët Quad apo aventurat me Jeep Safari. Ture të tilla shtrihen nga Kalaja e Kaninës deri në lartësitë e Malit Shashicë, duke ofruar mundësinë të vizitosh vende me terrene të vështira, por me peizazhe të pakrahasueshme.
