Benitez: Interi është skuadër e madhe, me një “ThuLa” të tillë e nis ndeshjen 1-0…

“Ka suksese që janë historike, ose që mund të bëhen të tillë. Varet nga zhvillimi i sezonit”. Kështu shprehet për “Gazzetta dello Sport” ish-trajneri i Interit, Rafael Benitez, pas fitores së zikaltërve në Mynih:
“Më la përshtypje maturia me të cilën e përballuan ndeshjen zikaltrit, bukuria e disa aksioneve, mendoj këtu për golin e parë, dhe zemërimi, intensiteti me të cilin i shfrytëzuan gabimet e kundërshtarëve, si në golin e dytë me kundërsulm, pa pasur kurrë frikë të besonin te fitorja”.
Goli i Lautaros ishte fantastik: “Një aksion me dominim të jashtëzakonshëm teknik, me një shpikje nga Thuram dhe më pas i përmbyllur mjeshtërisht me të jashtmen nga Lautaro. Kur i ke këta dy në këtë formë, është sikur e nis ndeshjen me rezultatin 1-0 për vete.
Sidoqoftë, Interi është më shumë se kaq; duhet të përmendim leximet e lojës nga Barella e Mkhitaryan, apo urtësinë e Calhanoglu. Në një fitore të tillë, askush nuk mund të përjashtohet nga meritat. Dhe pastaj, cinizmi, strategjia e përgatitur deri në detaj nga Inzaghi”.
Më në fund doli në pah edhe karakteri zikaltër: “Interi është një skuadër e madhe. Pas barazimit të Thomas Muller, shumë të tjerë do të ishin orientuar drejt ruajtjes së rezultatit. Zikaltrit jo, e panë si një mundësi për të sulmuar sërish në hapësirë të lirë. Dhe e bënë, sepse kanë një grup që di si t’i përballojë edhe mungesat e rëndësishme; Dimarco, Dumfries, Zielinski dhe Taremi. Cilësia e tyre është e jashtëzakonshme”.