Adriatik BALLA
Një nga basketbollistët më të mëdhenj të historisë, i cili vijon të prodhojë spektakël edhe në moshën 40-vjeçare, duket se po merr vendimin për t’u tërhequr. Referuar mediave sportive amerikane dhe europiane, LeBron Xhejms ka dhënë shenjën më të madhe deri më sot se pensionimi mund të jetë pranë, në një intervistë të re befasuese. Legjenda e NBA-së po përgatitet për sezonin e tij të 23-të në ligë, me Los Anxheles Lakers që do të zhvillojnë gjashtë ndeshje miqësore para se të hapin fushatën e tyre kundër Golden State Ëarriors më 21 tetor. E ardhmja e 40-vjeçarit ka qenë subjekt i spekulimeve të vazhdueshme gjatë gjithë verës, edhe pse ai vendosi të ushtrojë opsionin e tij prej 52.6 milionë dollarësh për t’u rikthyer edhe për një sezon tjetër.
Megjithatë, shumë tifozë besojnë se ky mund të jetë viti i fundit i tij përpara se të tërhiqet nga sporti. Duke folur për Spidi në kanalin e YouTube të Complex, Xhejms u pyet nëse rritja e angazhimeve të tij në biznes ishte shenjë se ai po përgatitej për t’u pensionuar. Xhejms u përgjigj: “Jo, nuk jam. E dini, nuk po jap asnjë aluzion. Sigurisht që e di që jam në anën tjetër të kodrës, kjo është e qartë. Si, hajde pra, nuk kam ndërmend të luaj edhe 23 vite të tjera, kjo është e sigurt. Dhe nuk kam ndërmend të luaj edhe 10 të tjera. Pra, jam duke u përgatitur drejt fundit. Ende s’jam atje, por jam jashtëzakonisht me fat që mund të jem ulur këtu.”
Edhe pse nuk konfirmoi një afat kohor të qartë, Xhejms pranoi se ditët e tij si lojtar janë të numëruara dhe se tashmë po mendon për jetën pas basketbollit. Gjatë kësaj vere, ai zbuloi se kishte zhvilluar një “varësi” ndaj golfit, duke thënë se dëshironte të luante në çdo kusht. Ai gjithashtu udhëtoi drejt Kinës për turin e tij Forever King dhe po përgatitet të lansojë atleten e tij më të re, Nike LeBron 23, më 3 tetor. James madje bëri shaka me spekulimet e vazhdueshme se hobet e tij të reja ishin shenja për pensionim: “Dëgjoni, çdo herë që marr diçka të re nuk do të thotë pensionim. Është si: oh e pashë duke ngrënë me shkopinj kineze – po del në pension. Oh, e pashë që po vesh një bluzë shumë të madhe – pensionim. Ai mori golf. Pensionim. Është thjesht diçka që dua të bëj, një hobi i vogël. Por pensionimi po vjen. Thjesht nuk është këtu ende.” Si shënuesi më i madh në histori i NBA-së, James tani do të ndjekë titullin e tij të pestë kampion. Megjithatë, me një skuadër të Lakers të re dhe ende të papërvojë—që përfshin edhe të birin, Broni—shumë dyshojnë se ata kanë fuqinë e mjaftueshme për të arritur në finale.
LeBron Xhejms parashikon të tërhiqet nga basketbolli aktiv në moshën 40-vjeçare
