Dita e sotme e premte 19 shtator ofron tre ndeshje të javës së 4-ët në Kategori të Parë. Supersfida zhvillohet në “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit ndërmjet vendasëve me të njëjtin emër dhe fqinjëve të Skënderbeut. Nëse korçarët shihen vërtetë si skuadër që pritet të jetë favorite për t’u rikthyer në Superiore, zhvillimet e fundit në kampin liqenor i’a rrisin kuotat skuadrës së Ardian Memës për t’a tentuar dhe njëherë një biletë elite.
Ndërkohë në “Liri Ballabani” një tjetër ballfaqim interesant e me pritshmëri të lartë. Burreli vendas dhe Besa e Kavajës i kanë domosdoshmëri pikët në këtë kampionat ku diferencat janë thuajse të pallogaritëshme. Së paku në atë që është shfaqur në tre javë të luajtura.
Sakaq, Laçi që sikundër Skënderbeu, konsiderohet favorit i madh për t’u ngjitur në Abissnet Superiore, e ka dërguar ndeshjen e tij shtëpiake me Korabin në Peshkopi. Arsyet lidhen me fushën e tyre që me gjasë deri në fund të vitit kalendarik do të shfrytëzohet edhe nga Vora. Kurbinasit “vendas” në verilindje do të duhet të bëjnë sot pa lojtarin kryesor Ledio Tresa por dhe mesfushorin Orgi Cena. Të dy me probleme fizike.
Java do të kompletohet nesër (e shtunë) ndërsa në fushë do të jenë përballë: Lushnja- AF Luftëtari, Iliria- Kukësi dhe Apolonia- Kastrioti. Të gjitha takimet e këtij raundi startojnë në orën 16:00. /Erga Kenga/
Kategoria e Parë, java e katërt:
16:00
Pogradeci- Skënderbeu
Laçi- Korabi (në Peshkopi)
Burreli- Besa
Nesër:
Lushnja- AF Luftëtari
Apolonia- Kastrioti
Iliria- Kukësi
Vazhdo leximin
