Më datën 30 shtator do të nisë sezoni 2025-2026 në Euroleague, eventi më i rëndësishëm kontinental në basketboll për meshkuj. Këtë vit do të jenë 20 skuadra që do të marrin pjesë në garë për trofeun.
Pra, dy më shumë. Listës së skuadrave i janë shtuar Hapoel Tel Aviv dhe Dubai Basketball, ndërkohë që rikthehet Valencia Basket, që zë vendin e Alba Berlin. Për herë të parë në këtë kompeticion merr pjesë një skuadër arabe.
Sipas rregullores, 6 ekipet e renditura në 6 vendet e para të sezonit të rregullt kualifikohen direkt në cerekfinalet play off. Skuadrat e renditura në ve ndet 7-10 do të luajnë në play out, për dy cerekfinalistet e fundit.
Sezoni i rregullt do të përfundojë më 17 prill 2026. Do të luhet me sistem vajtje-ardhje, pra gjithsej do të luhen 38 javë. Skuadra turke e Fenerbahce është kampione në fuqi, ndërkohë që “final four” do të luhet në Athinë.
Ekipet pjesëmarrëse: Anadolu Efes, Barcelona, Baskonia Gasteiz, Bayern Munich, Crvena Zvezda, Dubai Basketball, Armani Milano, Fenerbahce, Hapoel Tel Aviv, Villeurbanne, Maccabi Tel Aviv, Monaco, Olympiacos, Panathinaikos, Paris Basketball, Partizan Beograd, Real Madrid, Valencia Basket, Virtus Bologna, Zalgiris Kaunas.
Euroleague “zgjerohet” me 20 skuadra, pjesëmarrëse edhe një skuadër nga Arabia
