Teuta thyen Dinamon në ndeshjen e prapambetur, ngjitet në renditje dhe zhyt më keq “nëndetësen”

Adriatik BALLA
Ndeshja e prapambetur e Teutës me Dinamon, e planifikuar në kalendar që në javën e parë të Superiores, u luajt vetëm dje dhe prodhoi jo vetëm befasi në rezultat, por edhe kartonë e rivalitet, por me një humbje që dhemb për Dinamon e trajnerit Ilir Daja. Ndërkohë, Teuta ka dhënë një tjetër provë të “ringjalljes” së saj teksa ka marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë pretendentëve të Dinamos në ndeshjen e prapambetur të javës së parë mes dy skuadrave. E sotmja ishte një ndeshje e hapur mes ekipeve në startin e saj, por me Dinamon që mori kontrollin e plotë, sidomos pasi durrsakët mbetëm me 10 futbollistë pas kartonit të kuq të shpejtë të Vidal. Gjithsesi, ishin vendasit të cilët goditën në zhvillimin e një goditje nga këndi duke gjetur avantazhin me Kotobellin e më pas u mbrojtën me rregull. Dinamo provoi në çdo mënyrë që të gjente barazimin, duke rrezikuar disa herë Selmanin, por pa sukses. E njëjta tablo vazhdoi edhe kur Jorgji baraspeshoi forcat në fushë me kartonin e kuq për Nanin, pasi Dinamo vijoi sulmet. Por ata deri në minutën e fundit nuk prodhuan një gol, duke bërë që sfida të mbyllej me suksesin 1-0 për Teutën që bën hapa para në renditje.
Qëndrimi i trajnerit Daja
Trajneri Ilir Daja nuk e fshehu zhgënjimin e tij nga rezultati i djeshëm, ku skuadra e tij humbi 1-0. Daja kritikoi lojtarët që nuk u angazhuan sa duhet. “Jam rikthyer se klubi pagoi detyrimet financiare, nuk jam kthyer se më ka folur ndonjë Komision. Po të filloj të justifikohem, do kem kundër të gjithë opinionin, por në fund fare, Teuta e meritoi për shkak të sakrificës dhe dëshirës që kishin për të marrë rezultatin. Nuk kam asgjë me të. Fakti që nëse janë bërë më shumë se 12 minuta lojë efektive, këtë i thashë kryesorit, as pse nxori të kuq e të verdhë. I thashë duam të luajmë futboll, me 12 minuta lojë efektive nuk kemi çfarë bëjmë. Ai më tha nuk ju e keni në dorë. Unë kam në dorë ekipin tim, nëse ekipi im shtrihet në tokë, heq topin. Por të kaloj te ekipi im. Kur doli lojtari më karton të kuq, në vend të rritnim ritmin, ne bëmë sikur e fituam ndeshjen. Ndeshja ndonjëherë bëhet më e vështirë me një lojtar më shumë se kundërshtari zbret e duhet të ruash ekuilibrat që të mos të kapë në hapësira boshe. Nuk shtuam një marsh më shumë. Ishim në kushte të barabarta se kemi luajtur të dy ekipet të dielën. Kërkuam të ndryshonim në pjesën e dytë, krijuam volum, por në fund ne trajnerët duhet t’i çojmë në zonën e golit, pastaj është aftësia individuale për të shtyrë topin në rrjetë apo jo. Kishim rastet tona u përpoqëm me të gjitha mënyrat, por duket që po na mungon prania e Guindos apo eksperienca jo e madhe e Hekuran Berishës, për të bërë atë që bënin vjet Itodo dhe Zabërgja. Sot nuk është se u panë shenja lodhje. Lojtarët kishin gjendjen dhe ritëm deri në mbyllje të ndeshjes. Problemet e tjera ishin më shumë të tipit të strategjisë që duhej të përdornim kur ishim me një lojtar më shumë”, theksoi Daja. Pas tri xhirosh në Superiore, Dinamo ka marrë vetëm një fitore e dy humbje, duke pasur kështu një start sezonal jo dhe aq të mirë.
 
Renditja
Nr.Skuadra    Pikë
1.Elbasani        7
2.Vllaznia        6
3.Teuta            5
4.Partizani       4
5.Egnatia         4
6.Vora             4
7.Dinamo        3
8.Flamurtari     2
9.Bylis            2

Tirana 2