Shoqata “Skënderbej” zhvillon Kampionatin e 4-t të Shahut në zemër të Nju Jorkut

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej”, me qendër në Staten Island, organizoi të dielën Kampionatin e 4-t të Shahut, një aktivitet tashmë tradicional që mblodhi bashkatdhetarë, miq dhe dashamirës të lojës së mendjes në një prej pikave më ikonike të Central Park-ut – Chess & Checker House.Në këtë ngjarje morën pjesë drejtuesit e shoqatës, si dhe kryetari Imer Laçaj, zëvendëskryetari Leke Preçi, sekretarja Alketa Ktona-Veshi dhe anëtarja e kryesisë Arta Xhaferri, si edhe shumë anëtarë të tjerë të komunitetit.Loja, e njohur shpesh si “gjimnastika e trurit”, u ndoq me interes jo vetëm nga pjesëmarrësit, por edhe nga kalimtarë të rastësishëm, të cilët shpesh ndaleshin për të ndjekur ndeshjet ose për të sfiduar lojtarët shqiptarë në një lojë rastësore.Turneu u zhvillua me eliminime graduale, deri në shpalljen e fituesit, të cilit iu dorëzua një çmim simbolik prej 100 dollarësh nga kryetari Laçaj. Në përfundim, ai përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, duke i uruar suksese dhe duke nënvizuar rëndësinë e mbajtjes gjallë të traditave komunitare.Ky kampionat, i kthyer tashmë në një traditë vjetore të Shoqatës “Skënderbej”, shënon një nga aktivitetet e shumta kulturore dhe shoqërore që kjo organizatë zhvillon në mbështetje të ruajtjes së identitetit dhe bashkimit të komunitetit shqiptar në SHBA.Aktiviteti u pasurua edhe me gatime tradicionale shqiptare, të përgatitura nga zonjat Alketa Veshi, Arta Xhaferri, Fatma Dautaj dhe Adelina Laçaj, duke e shndërruar ditën në një festë të plotë miqësie dhe tradite.Shoqata “Skënderbej” falënderoi të gjithë kontribuuesit dhe miqtë e saj për mbështetjen, duke paralajmëruar se së shpejti do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera me karakter kulturor, sportiv e shoqëror.