Adriatik BALLA
Dje u luajtën ndeshjet e xhiros së radhës në Premier League angleze, të cilat dhuruan spektakël dhe mjaft rivalitet, gjë që e dëshmoi më së miri ndeshja Bërnli-Liverpul, e cila ishte mbërthyer në barazim deri në sekondën e fundit e pikërisht në fund fare Liverpul e fiton falë një penalltie t shndërruar në gol nga Salah. Por kryendeshja e djeshme në Premier League ishte derbi mes Mançester Sitit dhe Mançester Junajtid, luajtur në stadiumin “Etihad”. Në këtë përballje trajnerët spanjollë Guardiola dhe Amorim patën mundësinë të zbatojnë në fushë idetë e tyre por kualiteti i Sitit solli fitoren e “qytetarëve”, një fitore që e ngjit ekipin e Pep Guardiolës në vendin e 8-të, me 6 pikë, me dy fitore e dy humbje në katër takime të luajtura. Kurse Junajtid zbret në vendin e 14-të, me vetëm 4 pikë të grumbulluara në katër xhirot e para të kampionatit anglez.
Ndeshjen e djeshme e dominuan “qytetarët”, ku i pari e hapi serinë e golave Foden në minutën e 18-të. Pjesa e parë do të mbyllej 1-0. Në pjesën e dytë erdhi shpërthimi i sulmuesit norvegjez Erling Haland, që shënoi golin e dytë për ekipin e tij në minutën e 53-të, pas asistimit të Dokut. Në minutën e 68-të, pas një asisti të Silvës, norvegjezi Haland shënoi edhe goln e tretë, duke e “vrarë” ndeshjen. Përfundimisht derbin e Mançesterit e fitoi Siti, me shifrat 3-0, duke u kthyer “në origjinë” dhe si një skuadër që mund të rritet për të pretenduar titullin në vazhdim. Kurse Junajtid me këtë humbje, në krizë të thellë, mund të sjellë edhe shkarkimin e trajnerit. Ndërkohë, po dje, sulmuesi i Egjiptit, Mohamed Salah, ishte i saktë nga penalltia në minutën e 93-të dhe ia siguroi pikët e plota kampionit të Anglisë, Liverpulit.
Me rezultatin 1:0, “Reds”-at fituan në udhëtim ndaj Bërnlit të Armando Brojës, që luajti me një lojtar më pak në fushë në dhjetë minutat e fundit. Ndeshja e zhvilluar të dielën i takoi xhiros së katërt të Premier League. Lesli Ugoçukvu u përjashtua nga loja te vendësit në minutën e 84-t. Në shtesë, Liverpuli fitoi penallti pas prekjes me dorë të Hannibal Mejbrit. Salah ishte i pagabueshëm për fitoren e katërt në po aq ndeshje të luajtura. Sulmuesi i Shqipërisë, Broja, u inkuadrua në minutën e 89-të. Liverpuli prinë në tabelë me 12 pikë, tri më shumë se Arsenali, Totenhemi e Bornemuthi. Bërnli mbetet me tri pikë në pozitën e 17-të. Në vendet e para në Premier League qëndrojnë Liverpuli me 10 pikë, ndjekur nga Arsenali, Totenhemi e Burnemuthi me 9 pikë, e fill pas tyre Çelsi me 8 pikë, skuadra që kompletojnë top-5 në renditjen e Premier League angleze.
Siti fiton derbin e Mançesterit me Junajtid, Guardiola fiton duelin e parë sezonal me rivalët e qytetit
