Rasti i rrallë, 10 mami nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë” njëkohësisht në pritje të ëmbël

Një lajm i bukur dhe i rrallë vjen nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë” këtë të dielë, 10 mami që çdo ditë kujdesen për jetën e të tjerëve, janë aktualisht shtatzënë në të njëjtën kohë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi nga vetë materniteti perms një postimi në rrjetet sociale ku kjo konsiderohet si një dhuratë e rrallë që ka emocionuar të gjithë stafin.

“Nga duart që kujdesen për jetën, tek zemrat që mbajnë jetë brenda tyre. Në SUOGJ ‘Mbretëresha Geraldinë’, 10 mami po përjetojnë së bashku mrekullinë e shtatëzanisë.

Ato që çdo ditë kujdesen me përkushtim maksimal për gruan, nënën dhe foshnjen, sot mbajnë edhe vetë bekimin më të madh – Jetën brenda tyre. Një dhuratë e rrallë që na emocionon të gjithëve!”, thuhet në njoftim.

Postimi shoqërohet dhe me një foto të mamive që janë shtatzënë. Ato janë gra që përballen çdo ditë me emocione, sfida dhe përgjegjësitë e lindjes, duke qenë pranë nënave në momentet më të rëndësishme të jetës së tyre. Sot, rolet janë ndërruar: mamitë janë vetë nëna në pritje.

Një dëshmi e përkushtimit të profesionistëve të shëndetit, që nuk ndalen së dhëni dashuri, kujdes dhe jetë, edhe kur vetë janë në një fazë të tillë të ndjeshme dhe të bukur të jetës së tyre.