Vaksinat kanë shpëtuar miliona jetë, por sërish mbeten ndër temat më të kontestuara në shoqëri. Pas pandemisë COVID, frika dhe konfuzioni rreth tyre u rritën, ndërkohë që mosbërja e tyre nga një numër në rritje njerëzish, po rikthen sëmundje të vjetra, të cilat ishin zhdukur ose vdekshmëria e tyre kishte rënë ndjeshëm.
Por çfarë fshihet realisht pas një vaksine dhe pse nuk duhet t’i kemi frikë?
Mjekja infeksioniste Dr. Alma Hoxha, në një bisedë në Apostrof Podcast, i jep përgjigje këtyre pyetjeve me një shembull të thjeshtë:
“Vaksinimi është parandalim. Vaksiniat përbërhen nga pjesëza proteinash dhe pjesë gjenetike, ARN ose ADN e viruseve ose e bakterieve, ose janë bakterie të dobësuara, apo të ngordhura, që janë joaktive. Këto, duke u futur në organizëm në mënyrë të kontrolluar – sepse të gjitha sëmundjet tona varen edhe nga sasia, virulenca dhe nga forca që ka virusi ose bakteria që futet në organizëm – duke e bërë të kontrolluar këtë pjesë, edhe përgjigjia që jep organizmi është goxha e kontrolluar.”
Hoxha thekson se disa vaksina nuk janë vetëm parandaluese, por edhe shpëtuese.
“Ka vaksina që shërojnë. Për shembull, është vaksina e tetanozit, edhe ajo na shëron. Është vaksina e tërbimit që shëron, që në momentin që ne kafshohemi nga një qen me tërbim, në qoftë se ne nuk bëjmë vaksinën, vdekshmëria është pothuajse 99%. Plus që ne kemi sëmundje shumë të rënda si fruthi, rubeola, të cilat kur jemi të vaksinuar, ne i kalojmë shumë lehtë…”
Historia moderne e mjekësisë e dëshmon se falë vaksinave është zhdukur variola, janë dobësuar sëmundje si tuberkulozi, fruthi, sifilizi, ndërsa miliona jetë janë shpëtuar pa u ndjerë. “Është pikërisht vaksinimi arsyeja pse sot kalojmë shumë më lehtë sëmundje që dikur ishin fatale,” thotë Hoxha.
Megjithatë, mjekja ngre alarmin se rënia e besimit tek vaksinat, e ushqyer nga dezinformimi dhe lodhja shoqërore pas pandemisë, mund të hapë rrugën për rikthimin e sëmundjeve të rrezikshme që mendoheshin të zhdukura.
