Çifti Meri dhe Xhoni Drost nga Anglia kanë zbuluar Shqipërinë falë rrjeteve sociale. Fotot mbresëlënëse të Syrit të Kaltër që panë në internet i frymëzuan të planifikojnë udhëtimin e tyre në jug të vendit. Për ta, ky ishte një vendim spontan, por që premtonte aventura dhe zbulime të reja.
“Kur pamë fotot e Syrit të Kaltër në rrjetet sociale, mbetëm pa fjalë. Nuk kishim menduar kurrë se Shqipëria kishte kaq shumë bukuri natyrore”, shprehet turisti.
“Rrjetet sociale na frymëzuan vërtet. Fotot që pamë na bënë të planifikonim këtë udhëtim spontanisht donim të shihnim me sytë tanë atë që dukej si një mrekulli natyrore”, shprehet turistja.
Sapo mbërritën pranë Syrit të Kaltër, Meri dhe Xhoni u mahnitën nga bukuria e natyrës dhe u ndjenë të mirëpritur nga vendasit. Ata tregojnë se uji në këtë park natyror dhe natyra janë shumë më bukur se sa në fotografitë që kishin parë.
Përveç Syrit të Kaltër, çifti planifikon të udhëtojë përgjatë rivierës shqiptare, duke ndalur në disa pika turistike të jugut për të eksploruar plazhet dhe kulturën lokale.
“Kur mbërritëm pranë Syrit të Kaltër, pamja ishte edhe më mahnitëse se në fotografi. Uji ishte i kristaltë, dhe natyra përreth ishte e paprekur”, tha turisti.
“Ky udhëtim është një përvojë unike, natyra, kultura dhe njerëzit këtu e bëjnë Shqipërinë një destinacion që do ta rekomandojmë patjetër tek miqtë tanë”, shprehet turistja.
Eksperienca e tyre tregon ndikimin e madh të rrjeteve sociale në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik. Meri dhe Xhoni shprehen se do ta ndajnë këtë aventurë me miqtë e tyre në Angli, duke i inkurajuar edhe ata të vizitojnë vendin tonë.
Ky rast tregon se imazhet e natyrës shqiptare në internet po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj, duke e kthyer Syrin e Kaltër dhe jugun e Shqipërisë në pika të preferuara për turizmin.
Shqipëria, destinacion turistik – Çifti anglez zbulon Syrin e kaltër falë fotove në internet
